Wednesday, December 10, 2014

Pacolli ironizon qeverinë Mustafa

Presidenti i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, ka kritikuar kryeministrin e ri të Kosovës, Isa Mustafa për për numrin e madh të ministrive.

Pacolli në profilin e tij në “Facebook”, ka thënë se Mustafa gjatë natës së hënë ka krijuar edhe dy ulëse të reja në Kuvendin e Kosovës, për t'i bërë vend Qeverisë më të madhe në historinë e Kosovës.
Postimi i plotë i Behgjet Pacollit në profilin e tij në “Facebook”:
Dëshiroj ta përgëzoj kryeministrin e ri të Kosovës, Isa Mustafën, për fillimin më rrëmbim të punëve. Ai ndërtoi gjatë natës dy ulëse të reja në Kuvendin e Kosovës, për t'i bërë vend Qeverisë më të madhe në historinë e Kosovës. Saktësisht gjashtë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve, dy partitë më të mëdha në vend, PDK dhe LDK, arritën që t'i formojnë institucionet e vendit. Gjithashtu, mund të them, se kjo Qeveri e re, tashmë e ka thyer edhe një rekord. Filluan të punojnë ende pa e dhënë betimin solemn duke i shtuar gjatë natës, dy ulëse të reja për ministrat e rinj në Kuvendin e Kosovës. Prapë se prapë, formimi i Qeverisë së re, është edhe një lajm i mirë por edhe i mjerë për shoqërinë tonë. Liderët e partive politike u treguan të gatshëm që, për t'i plotësuar deri në fund egot personale ta shpjenin Republikën e Kosovës deri tek një kaos total. Mirëpo, më e keqja u evitua, vetëm atëherë kur kryetari i LDK-së dhe ai i PDK-së, u siguruan që t'i ndanin për vete, dy pozitat kyçe: atë të Kryeministrit për Isa Mustafën dhe atë të Presidentit, pas dy vitesh, për Hashim Thaçin. Kurse, qytetarëve nuk u mbetet rrugë tjetër, vetëm t'i gëzohen një fakti dhe një fati të tillë, të pikëllueshëm. Unë, megjithatë, dëshiroj të besoj që formimi i institucioneve është një lajm i gëzueshëm për vendin. Dëshiroj të besoj që ministrat e ri do të gjejnë forcën dhe vullnetin e mjaftueshëm që të janë në krah të qytetarëve, më shumë se sa në krah të interesave partiake. E posaçërisht dëshiroj të besoj që Kryeministri i Ri, i ka ruajtur energjitë e tij pozitive për ketë kohë. Ndonëse, ajo çfarë dëshiroj të besoj, dhe ajo çfarë realisht besoj, në ketë rast, ka dallim të madh. Por, edhe unë, do t'i përmbahem Kodit të pashkruar për ta respektuar 100 ditëshin e një heshtjeje përballë Qeverisë së re. Dëshiroj më ketë rast t'i falënderoj shumë ministrat e deridjeshëm të AKR-së, që përgjatë gjithë qëndrimit të tyre në Qeveri,punën e tyre e kanë kryer në mënyrë shembullore. Këta ministra, treguan zell dhe kulturë të lartë të punës. Ata asnjëherë për këto 4 vite nuk ishin, madje, as të përfolur për afera korruptive e të mos flasim për hetime zyrtare. Përkundrazi, ministrat, si Mimoza Kusari, Fadil Ismaili, Ibrahim Makolli, Bernard Nikaj dhe tash së fundmi Ismet Mula, ishin shembulli që duhet ndjekur nga kolegët e tyre në të ardhmen. Sot Kosova mund të mburret se është ndër vendet me të volitshme për të bërë biznes në Ballkan, kjo fjalë punës së madhe të Mimoza Kusarit dhe bashkëpunëtorëve të saj. Dhe kishte edhe shumë raste të tilla të ngjashme. Mos te harrojmë ngritjen e renditjes se ambientit të berit biznes të Kosovës mbi 37 vende vetëm ne dy vitet e para te udhëheqjes së kësaj ministrie nga Zonja Mimoza Kusari. Nënshkrimin e marrëveshjes së Stabilizimin Asociimit pjesë e së cilës komponenta tregtare është 70% e saj. Kalimin e ligjit për mbrojtjen e investimeve të huaja dhe shumë marrëveshje për mbrojtje dhe promovim të investimeve. Reformën e mirëfilltë të politikave tregtare e shumë të tjera. Mos te harrojmë punën kolosale që u bë për Trepçën në mënyrë që ajo mos të privatizohet e ti mbetët qytetarëve te Kosovës. Brezovicën arritëm ta fusim në binarët e duhur në mënyrë që ajo të zhvillohet.
Puna e madhe për KEK-un po ashtu mbeti e pakryer për shkaqe të mos funksionimin e zinxhirit qeverisës dhe parlamentit të mandatit të fundit. Shumë iniciativa tjera të  ministrave të AKR mbetën vetëm në letër për shkaqe të xhelozive ose të mos vullnetit të partnerëve te saj për ta zhvilluar Kosovën. Me padurim po presim që këto iniciativa të marrin drejtimin e duhur. AKR la mbrapa një program që i nevojitët Kosovës. Koha po tregon se idetë tona (AKR) ishin avangardiste. Kur unë udhëtoja në Afrikë, shumëkush u tall, sot njohjet vijnë nga Afrika si rezultat i punës dhe vizionit tim. Të njëjtit të cilët dikur u talleshin sot mburrën për njohjet që vijnë bile duke u munduar që këto të fundit të ja atribuojnë suksesit të tyre. Edhe shumë njohje do të vijnë nga Afrika, Amerika e Jugut e Asuani. Po ashtu me padurim po presim se çfarë suksese do të tregojë përfaqësuesja e Isa Mustafës në Ministrinë e Tregtisë e Industrisë e cila vazhdimisht ishte një zë i ashpër (Kundër punës së zonjës Kusari) brenda Kuvendit të Kosovës. Edhe pse e njëjta punoi si këshilltare e ish-Ministrit të Tregtisë, Zharku për reformën e të bërit biznes në kohën kur Kosova ishte e listuar në vendin 119-të të Indeksit të Bankës Botërore, ndërsa sot e merr Ministrinë me Kosovën në vendin e 75-të. Por nuk ishte vetëm kjo. Po shpresoj shumë që ministrat e rij nuk pretendojnë në hapjen e gurëthyesve tjerë, (këta që janë sot e shkatërruan ambientin e Kosovë), pompave të benzinit apo ridefinimin e drejtimit të autostradave që të kalojnë nëpër tokat e tyre. Do ta përcjellim me llupë edhe punën e emërimit më të befasishëm të kësaj Qeverie, atë të Ministrit të Punëve të Brendshme, z. Skënder Hyseni (përndryshe Diplomat më përvojë) dhe po dëshiroj të besoj që Hyseni nuk e ka pranuar ketë post, vetëm pse ai i Ministrit të Punëve të Jashtme ju zu nga dikush tjetër, por pse z. Hyseni është i pasionuar për ta luftuar krimin. Mos të harroj të përmend, se ky Kabinet Qeveritar, për nga përmasat dhe numrin e ministrave tashmë që në start, është kabineti më i madh qeveritar në historinë e Kosovës, e ndoshta edhe të rajonit. Sigurisht, nuk e keni harruar se sa ishte tallur LDK me Qeverinë e kaluar, pjesë e së cilës ishte edhe AKR, pikërisht për ketë çështje. Ndërsa, unë e pashë, se si në sallën e Kuvendit, e cila është ndërtuar (pjesa më e madhe donacion)nga Mabetex, në momentet e fundit, krejt pa shije, partnerët e rinj qeveritar, u detyruan t'i shtonin, madje, edhe dy ulëse ministrore. Sepse ato aktualet nuk po i zinin që të gjithë. Unë personalisht nuk kam asgjë kundër numrit të madh, sa kam kundër improvizimeve. Sikur AKR të kishte mundësi që të bënte një Qeveri, sipas ideve të saja, padyshim që nuk do të krijonim këso tollovie qeverisëse. Gjithsesi që nuk do të shtonim edhe më shumë ulëse për ministra në Kuvendin e Kosovës. Ju e dini që ne e kemi pasur në programin tonë qeverisës, heqjen e disa syresh. Megjithatë, edhe përkundër numrit kaq të madh të ministrave, 21, PDK dhe LDK, ndarjen e resorëve qeveritare, duket se edhe kësaj here, më shumë se sa për një përfaqësim mbarënacional, janë përkujdesur për një përfaqësim miqësor. Dy prej rajoneve kryesore në vend, ai i Gjakovës dhe ai i Mitrovicës, nuk janë të përfaqësuar fare në ekzekutiv. Ndonëse, këto dy qytete, kanë qenë, dhe vazhdojnë të mbesin, si dy prej zonave më të rëndësishme ekonomike në vend. Nuk e kuptoj pse partnerët PDK dhe LDK kanë zgjedhur t'i ndëshkojnë këto dy qytete. Këtu janë dy mundësi, që kanë sjellë në këtë "gabim", nga padituria për prioritetet, ose nga hakmarrja se këto dy qytete udhëhiqen nga AKR. Mbes me shpresë që ketë nuk e kanë bërë nga hakmarrja ndaj AKR-së,por nga mosdija!!!!!!

No comments:

Post a Comment