
Ndërsa populli grek përmes një sondazhi ka shfaqur bindjen me 38 për qind se Greqia duhet ta njohë Kosovën si shtet të pavarur, zyrtarë të këtij vendi ende hezitojnë të ndërmarrin një hap të tillë.
Kështu thuhet në raportin mbi perceptimet reciproke “Të jesh grek, të jesh kosovar”, që u publikua sot nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur. Sipas po këtij raporti, 35 për qind e grekëve janë kundër njohjes së pavarësisë, derisa 27 për qind nuk janë deklaruar.
Gjatë prezantimit të projektit hulumtues “Të jesh grek, të jesh kosovar”, ambasadorja e Greqisë në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë, Konstantina Athanassiadou ka theksuar se nuk duhet të ngutet me njohjen, pasi ka edhe vende tjera në Bashkimin Evropian që nuk e bërë një gjë të tillë.
Ambasadorja greke e pranoi se në vendin e saj ka shumë huti për shkak të ish-Jugosllavisë dhe se grekët e konsiderojnë e Kosovën ende si pjesë të saj. Sipas saj, identiteti i kosovarit është i lidhur me luftën.
Ajo ka përmendur edhe faktorët tjerë që kanë ndikuar në marrëdhëniet mes dy vendeve, sikurse raporti i Dick Martyt që flet për krimet e UÇK-së si dhe migrimi ilegal.
“Po përpiqemi të gjejmë zgjidhje dhe të kemi diçka të përbashkët mes shqiptarëve e grekëve, apo më mirë thënë mes grekëve e kosovarëve. Nuk duhet harruar se kemi marrëdhënie të mira dhe vizitat e ndërsjella janë shpeshtuar”, ka potencuar Athanassiadou.
“Jemi miq dhe nuk e njohim njëri-tjetrin”, ka shtuar ajo teksa ka rrëfyer tregimin e saj personal kur ka takuar rastësisht një kosovar në Londër, i cili kishte hezituar t’i tregojë se vjen nga Kosova.
Kurse ish-ambasadori grek në Kosovë, Dimitris Moschopoulos, ka theksuar rëndësinë e njohjes së Kosovës, por që kjo nuk është në dorën e një ambasadori.
“Me rëndësi është që të kemi marrëdhënie të mira, ta përdorim mirësinë për të ardhur deri tek njohja e Kosovës”, ka thënë ai.
Moschopoulos ka thënë se Kosova duhet të punojë shumë që vuajtjet e së kaluarës t’i përkthejë në një jetë më mirë për gjeneratat e ardhshme.
Projekti Hulumtues i prezantuar të mërkurën ka për qëllim të analizojë marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Greqisë duke ofruar dëshmi materiale të qëndrimeve publike, stereotipeve dhe keqkuptimeve.
Por të dhënat e publikuara për mendimet që kanë grekët për shqiptarët dhe shqiptarët për grekët janë dekurajuese. Ioannis Armakalos që ofroi të dhëna për perceptimet e grekëve ndaj shqiptarëve tha se kjo vjen si pasojë e mungesës së informacioneve që kanë grekët për kosovarët.
Dy faktorët kryesorë që kanë ndikuar në këtë drejtim janë: ndërhyja e NATO-s në vitin 1999 si dhe shpallja e pavarësisë në vitin 2008. /koha/
No comments:
Post a Comment