
Kryeministri i sapozgjedhur i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, vetëm një ditë pas ardhjes në pozitën e të parit të qeverisë, ka filluar t’i shikojë në retrospektivë deklarimet e tij të mëparshme.
Mbështetja që Mustafa ia dha rektorit të Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu, për ruajtjen e pavarësisë së UP-së, javën e kaluar, më 4 dhjetor 2014, në profilin e tij në Facebook, tashmë nuk ekziston.
Kreu i LDK-së, Isa Mustafa përkrah punën e rektorit të UP-së, Ramadan Zejnullahu lidhur me mbrojtjen e pavarësisë së institucionit më të lartë të dijes në vend.
Në ditën kur organizatat e dala nga lufta kanë paralajmëruar demonstratë me kërkesë për dorëheqjen e rektorit shkaku i mospërmbushjes së kërkesës së tyre për regjistrimin e studentëve nga listat e këtyre organizatave, pretenduesi për postin e kryeministrit të vendit tha se nuk duhet lejuar diktatet dhe presionet në UP.
“Universitetin e Prishtinës duhet ta respektojmë të gjithë dhe të lejojmë që të zhvillohet si institucion i pavarur nga diktatet e presionet. Ai është tempull i dijes dhe ndër simbolet e para të fillimit të pavarësisë së Kosovës”, tha Mustafa në rrjetin e tij social Facebook.
Ai tha se dija nuk fitohet me lista të adresuara dhe me emërime politike.
“Dija në këtë institucion nuk fitohet me lista të adresuara dhe me emërime politike, por me punë të përkushtuar të trupit arsimor dhe të studentëve, me respektim të kritereve, me ballafaqim me institucionet e tjera të arsimit të lartë dhe me konkurrencën mësimore e shkencore”, shtoi Mustafa.
“Prandaj meriton përkrahje përkushtimi i Rektorit të Universitetit të Prishtinës për të mbrojtur ato vlera që kanë mbetur në universitetin tonë dhe për ta kthyer atë kah kriteret e vlerës dhe dija”, tha Mustafa. /kallxo.com/
No comments:
Post a Comment