Wednesday, December 17, 2014

Foli Agim Bahtiri dhe pikë: Barrikadë nuk do të ketë në vitin 2015!

Viti i parë i qeverisjes komunale mund të vlerësohet i suksesshëm, përkundër vështirësive të ndryshme, si dhe bllokadave të qëllimshme nga përfaqësues të PDK-së në nivelin lokal ashtu dhe në atë qendror, ndërkohë që vitet e ardhshme do të jenë vite që do të ndryshojnë qytetin për të mirë, ka thënë kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri, me rastin e prezantimit të punës njëvjeçare të pushtetit të tij lokal.
Sipas tij, fal angazhimit të të gjithëve, Mitrovica me specifikat që jeton ka bërë hapa përpara në konsolidimin e sigurisë që vazhdon të mbetet e brishtë.
Ndërkaq, shtoi ai se mos realizimi i premtimeve në masën e duhur, është rezultat i asaj se gjatë fushatës nuk janë paraparë shumë probleme që udhëheqja e re komunale i ka hasur kur ka ardhur në pushtet.
“Mitrovica e cila ka qenë, më nuk është. Mitrovicën të cilën e kam gjetur në situatë të rëndë ekonomike, por edhe politike, sot e kemi shumë më të kënaqshme në të gjitha sferat. Jemi munduar të bëjmë maksimumin, të cilën e kanë pritur qytetarët e Mitrovicës”, ka thënë Bahtiri.
Ai tha se është njeri i biznesit dhe se njerëzit e tillë nuk njohin kufij, nacionalitet e aq më pak barrikadë.
“Barrikada duhet të hiqet në të gjitha format. Askund nuk do të ketë barrikadë më 2015, sepse është qëllimi ynë të ecim përpara. Sa më shumë vonohemi, do të vonohemi edhe në procese për të cilat BE-ja nuk është e interesuar të ndalen”, theksoi Bahtiri.
Ai tha se gjatë këtyre 12 muajve, si asnjëherë më parë është rritur dukshëm transparenca në punën e administratës komunale dhe në të gjitha nivelet e pushtetit lokal, se është ndalur korrupsioni, haraçi, se shpenzimet në komunë janë zvogëluar për 63 për qind.
Ndërkaq, deklaratat e përfolura nga ana e zyrtarëve serbë ditë më parë se kryetari i Mitrovicës është pajtuar në Bruksel për mbetjen e të ashtuquajturit “Park i Paqes” mbi urën e Ibrit, Bahtiri i ka quajtur të pavërteta dhe jo të sinqerta.
“Ky nuk është ‘Park i Paqes’, por është ‘Park i Turpit, dhe unë e kam thënë qartë se ky park duhet të largohet sa më shpejtë që është e mundur. Asnjëherë në jetë nuk ka shans që Agim Bahtiri të pajtohet, jo vetëm me park, por me asnjë element bllokues”, ka thënë Bahtiri. /KP/

No comments:

Post a Comment