Thursday, December 11, 2014

Flasin tetë të “rrebeluarit”: Gjithmonë me LDK dhe gjithmonë kundër PDK!

Gjithmonë e dëshironin që lideri i tyre Isa Mustafa të udhëheq me Qeverinë e Kosovës, por më 9 dhjetor, 8 deputetët e LDK-së votuan kundër qeverisës dhe kabinetit të drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa. Deputetët Adem Salihaj, Anton Quni, Fatmir Rexhepi, Vjosa Osmani, Arben Gashi, Armend Zemaj, Doruntinë Maloku e Alma Lama në ditën e votimit në Kuvendin e Kosovës nuk i dhanë mbështetje liderit të tyre të partisë për një koalicion qeverisës me PDK-në e Hashim Thaçit.
Votuan kundër Qeverisë, dhe këtë e bënë me një qëllim të vetëm, sepse nuk e dëshën koalicionin me partinë të cilën e quajtën parti të krimit dhe korrupsionit. E të gjithë këta deputet që nuk e votuan qeverinë Mustafa këtë e bënë edhe për një arsye tjetër, nuk pranuan faktin që deputetë të LDK-së një ditë më parë votuan që ish- shefi i SHIK-ut të jetë në krye të Kuvendit të Kosovës.
Por përkundër kësaj, ata do të vazhdojnë të jenë pjesë e pandashme e LDK-së dhe do të punojnë edhe më shumë për fuqizimin e partisë, të cilën po synojnë ta ngritin si forcën e parë politike në vend.
Asnjëri nga këta deputet sot nuk janë pishman pse votuan kundër Qeverisë Mustafa, por po ashtu asnjëri nga ta nuk po pretendon që të distancohet nga LDK-ja do të formoj grup të veçantë në Kuvendin e Kosovës.
Deputeti Adem Salihaj në një deklarëtë për “Botapress” tha se gjithmonë do të jetë kundër PDK-së, dhe gjithmonë me LDK-në, deri atëherë kur LDK-ja nuk më largon nga partia. “Unë personalisht jam LDK dhe nuk mendoj asnjëherë për diçka tjetër. Do të vazhdoj punën aty ku jam dhe nuk shoh asnjë arsye që të mos vazhdoj më tutje t’i kontribuoj LDK-së”, tha Salihaj për “Botapress”.
Edhe deputeti tjetër i LDK-së Armend Zemaj që ka votuar kundër qeverisë Mustafa, me arsyetimin se nuk e dëshironte një koalicion me PDK-në ka mohuar se gjatë këtij mandati do të jetë pjesë e ndonjë grupi tjetër politik apo do të shërbej si deputet i pavarur. Ai në deklarimet e tij që nga dita e votimit në Kuvend ka thënë se pavarësisht vendimit për të mos përkrahur koalicionin qeverisës, ai do të vazhdoj të mjetet pjesë e LDK-së dhe do të punoj me gjithë kapacitetin e tij për partinë pjesë e së cilës është që nga fillimi i angazhimit të tij me politikë.
“Me krenari do të jem pjesë e LDK-së dhe do të jem deputet i pavarur. Do të vazhdoj të jem gjithmonë në LDK, aq sa kam kapacitet dhe aq sa njerëzit me besojnë mua si pjesë e LDK”, ka deklaruar Zemaj.
Se do të vazhdoj t’i qëndroj besnike LDK-së, këtë e ka konfirmuar edhe deputetja Vjosa Osmani. Ajo madje i ka quajtur spekulime zërat se do të largohet nga LDK-ja pas vendimit kundër qeverisë Mustafa. ” Lajmet për gjoja dorëheqjen time janë të pavërteta. Gjithnjë kam qenë dhe do të mbetem LDK”, kishte deklaruar deputetja Osmani në rrjetin e saj Facebook.
Ajo ka arsyetuar edhe vendimin e saj pse më 9 dhjetor votoi kundër Qeverisë së re. “Vota ime kundër është votë kundër bashkimit PDK-LDK. Nuk ka asnjë lidhje me përbërjen e kabinetit qeveritar apo emrat e ministrave të propozuar nga LDK. Tani do të dëgjoni interpretime, spekulime e paragjykime të ndryshme, por e vërteta është që kam qenë kundër bashkimit me PDK para 4 vitesh, kundër para 6 muajsh, kundër para 2 javësh, e kundër isha edhe sot”, tha znj. Osmani.

No comments:

Post a Comment