Tuesday, December 30, 2014

AAK kërkon të ndërpritet pushimi i Kuvendit

Grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kërkon që Kuvendi ta rivlerësoj edhe një herë vendimin i cili është marrë në seancën e mbrëmshme për dërgimin në pushim të Kuvendit deri më 19 janar.
Këtë kërkesë ata e bënë përmes një konference për media, ku thanë se për shkak të situatës së krijuar në Kosovë ata nuk e shohin të nevojshëm këtë vendim.
Kryetarja e Grupit, Donika Kada-Bujupi, i ka bërë thirrje Kryesisë dhe kryetarit të Kuvendit që të vlerësojë situatën dhe të rivlerësoj vendimin e tyre.
“Kryesia e Kuvendit dhe kryetari të vlerësojnë situatën dhe të rivlerësojnë vendimin e tyre - të ndërpresin këtë pushim të tyre. Deputetët mjaft gjatë kanë qenë në pushime”, ka thënë Bujupi.
Sipas AAK-së, problemi më serioz dhe i cili nuk pret është ikja ilegale e emigrantëve, prandaj duhet të trajtohet si çështje e urgjente.
Bujupi tha se ata kërkojnë që në fillim të janarit të mbahet një seancë parlamentare në mënyrë që të procedohet kjo çështje kaq e veçantë.
“Ne jemi të vetëdijshëm se ky vendim bazohet edhe me rregullore mirëpo rregullorja parasheh situata të jashtëzakonshme. Ne si grup parlamentar vlerësojmë se situata në vend është e jashtëzakonshme, situatë e cila kërkon përveç trajtimit të projektligjit dhe punëve rutinore të kuvendit edhe trajtimin e çështjeve të tjera të rëndësisë së veçantë, çështjeve që janë urgjente. Në mesin e tyre është edhe migrimi ilegal”, u shpreh ajo.
Po ashtu ajo ka paralajmëruar se grupi i tyre parlamentar nuk do të jetë në pushim, sepse sot kanë filluar marrjen e nënshkrimeve për një seancë të jashtëzakonshme, të cilët presin që t’i kenë 40 nënshkrime të deputetëve, në mënyrë që të mund të ndërpritet pushimi dhe të kthehen i në punë dhe në Kuvend dhe të angazhohen në kryerjen e detyrave të tyre si përfaqësues të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

No comments:

Post a Comment