Tuesday, December 30, 2014

Kosova dhe Maqedonia bashkojnë forcat për luftimin e korrupsionit

Prokuroria e Republikës së Kosovës dhe Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë sot nënshkruan memorandum bashkëpunimi me qëllim të koordinimit në luftën kundër krimit të organizuar, krimit ndërkufitarë përfshirë edhe shpëlarjen e parasë dhe terrorizmit.
Sylë Hoxha, kryeprokuror i prokurorisë së shtetit të Kosovës, vlerëson se ky memorandum bashkëpunimi do të ndihmojë luftimin e korrupsionit ndërkufitar.
“Ky bashkëpunim do të bazohet në shkëmbimin e informatave të përvojave në mes dy prokurorive në luftimin efikas të këtyre dy veprave penale. Përmes këtij memorandumi po ashtu jemi pajtuar për të caktuar nga një prokuror i cili do të jetë përgjegjës për aranzhimet dhe vendet e bashkëpunimit të kontakteve sipas këtij memorandumi”, ka thënë ai.
Prokurori i shtetit deri më tani ka nënshkruar memorandume të tilla me vende të tjera të rajonit dhe shteteve të BE-së, si me Shqipërinë, Malin e Zi, Kroacinë, Italinë dhe Francën.
Ndërkohë, sipas Hoxhës, Prokurori i shtetit do të vazhdojë nënshkrimin e këtyre memorandumeve të tilla edhe me shtete e tjera gjithmonë me qëllim të ngritjes së bashkëpunimit dhe luftimin sa me efikas të veprave penale.
Kurse, Marko Zverlevski, kryeprokuror i prokurorisë publike të Maqedonisë, vlerësoi se memorandumi i nënshkruar do të bashkojë forcat e dy shteteve për të luftuar krimin e organizuar. 

No comments:

Post a Comment