Tuesday, December 30, 2014

Haradinaj: Edhe më 2015 do të përballemi me korrupsion dhe qeverisje pasive

Sipas liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, viti që po e lëmë pas, ishte vit sfidues për Kosovën.
Në urimin e tij për ndërrimin e moteve, Haradinaj ka vlerësuar se po vazhdon një shtrenjtim dhe rëndim i jetës.
“Një situatë dramatike dhe me regres ekonomik. Ishte një vit sfidues dhe jo me përmbajtjen e duhur”, ka vlerësuar Haradinaj.
Sipas tij, si në atë që shkoi, edhe në vitin vijues, duhet të përballemi me rrezikun e madh – korrupsionin dhe me qeverisjen pasive, që po akomodohet në vend.
“Unë besoj se bashkërisht do ta gjejmë drejtimin e duhur për vendin tonë, me kaq shumë probleme. Këtu duhet të qeverisin njerëzit e duhur, të cilët sot nuk janë në përgjegjësitë e duhura. Viti 2015 do të jetë vit i vendimeve për qytetarët e Kosovës, vit në të cilin qytetarët do të vendosin për ta ndryshuar këtë situatë, këtë gjendje të keqe e të rëndë. Besoj, shpresoj dhe jam i bindur se në Kosovë ka energji të cilat mund ta ndryshojnë këtë gjendje të keqe”, ka vlerësuar lideri i AAK-së.
Në fund, lideri i AAK-së, duke ua dëshiruar të gjithëve çdo të mirë, ka uruar Vitin e Ri 2015, me sa më shumë begati, shëndet e mirëqenie.

No comments:

Post a Comment