Monday, January 5, 2015

Intervistë| Shkencëtari i Vitit Gani Bajraktari: Të ndahet më shumë buxhet për shkencë dhe të rritet transparenca akademike

Ne jemi shtet i ri, dhe natyrisht një shtet i rrënuar dhe i dërmuar nga lufta nuk ka mundur të këtë prioritet shkencën. Për shkencë duhet të ndahet më shumë buxhet dhe të inkurajohen shkencëtarët e rinj. Për fat të keq nuk mund të jemi të kënaqur me punën shkencore në Universitetin e Prishtinës. Duhet dhënë proporcionin e duhur punës shkencore krahas asaj pedagogjike. Duhet të ndryshohet edhe modeli i avancimeve në UP. Shkencëtari i Vitit në Kosovë, Gani Bajraktari, flet për Express.

Express: Jeni shpallur "Shkencëtari i Vitit 2014" në Kosovë nga Ministri i Arsimit. Cilat janë kontributet tuaja shkencore që e keni fituar këtë titull?
Gani Bajraktari: Titulli "Shkencëtar i Vitit 2014", mbase është titulli që më së shumti më ka bërë të ndjehem mirë, në karrierën time. Më vjen shumë mirë për konsideratën e Komisionit Vlerësues, i cili ka çmuar veprimtarinë time shkencore në të kaluarën, e në veçanti në dy vitet e fundit. Praktikisht kontributi im shkencor në pika të shkurtra është përmbledhur në raportin e këtij Komisioni. Konsideroj se fakti i përfundimit të doktoraturës së tretë në Universitetin Umea, Suedi, si dhe numri i punimeve në dy vitet e kaluara, duhen të kenë qenë vendimtarë për marrjen e vendimit. Mbështetur në këtë kontribut shkencor, në dy vitet e kaluara kam qenë edhe ligjërues i ftuar në disa konferenca ndërkombëtare, përfshirë edhe Kongresin Europian të Ekokardiografisë në Vjenë, që është Kongresi më prestigjioz i fushës në botë.
Ne jemi shtet i ri, dhe natyrisht një shtet i rrënuar dhe i dërmuar nga lufta nuk ka mundur të këtë prioritet shkencën në dekadat që lëmë pas.
Express: Pra, në arsyetim përmenden 12 punime në revista shkencore, tri doktorata (Kosovë, Hungari, Suedi), 172 herë jeni cituar dhe keni pasur 36 prezantime në konferenca ndërkombëtare. Sa ju kanë ndihmuar institucionet e Kosovës në punën tuaj shkencore?
Gani Bajraktari: Ne jemi shtet i ri, dhe natyrisht një shtet i rrënuar dhe i dërmuar nga lufta nuk ka mundur të këtë prioritet shkencën në dekadat që lëmë pas. Mirëpo, MASHT, Universiteti i Prishtinës dhe Ministria e Shëndetësisë shpeshherë kanë mbështetur kolegët e mi dhe mua, edhe financiarisht, për të mbuluar shpenzimet për pjesëmarrje në konferenca, ku kemi prezantuar rezultatet e studimeve tona, që është për t'u çmuar. Gjithashtu këto institucione kanë mbështetur financiarisht në të kaluarën ata që kanë qenë dhe janë duke mbaruar doktoraturat në universitet prestigjioze ndërkombëtare (jo mua), që po ashtu është një kontribut i rëndësishëm për shkencëtarët e rinj, të cilët do të jenë bartës të punës shkencore në të ardhmen në Kosovë. Për më tepër MASHT ka financuar disa projekte të vogla shkencore, një nga të cilat ka qenë një projekt i imi.
Express: Sa arrini t’i aplikoni në praktikë rezultatet e hulumtimeve shkencore?
Gani Bajraktari: Në fakt, në punën tonë klinike ne aplikojmë udhërrëfyesit e shoqatave relevante ndërkombëtare të fushës (në rastin tim të kardiologjisë), të cilët dalin nga studimet e grupeve punuese të shkencëtarëve më eminent botërorë. Shfrytëzimi i këtyre udhërrëfyesve është i domosdoshëm dhe si të tillë aplikohen në tërë botën. Aplikimi klinik i një teknike, bari apo parametri, pavarësisht nga rezultatet e një studimi është në kundërshtim me kodin etik në fushën e shkencave humane. Natyrisht rezultatet e studimeve tona na mundësojnë në radhë të parë thellimin e të kuptuarit të mekanizmave patofiziologjikë në fushën përkatëse, na mundësojnë siguri më të madhe në trajtimin e sëmundjeve kardiovaskulare, si dhe janë kontribut, i cili eventualisht mund të merret në konsideratë nga ato grupe punese që bëjnë udhërrëfyesit relevant, të cilëve ne duhet të iu nënshtrohemi në praktikën klinike. Gjithashtu, rezultatet e studimeve klinike, në të cilat unë kam marrë pjesë ose i kam udhëhequr, mund të jenë nismë e rëndësishme, në raste të caktuara, për hulumtime tjera shkencore, të cilat kur behën bashkë japin një konkluzion të rëndësishëm për të ndryshuar një qëndrim të caktuar edhe klinik.
Sot ka databaza të mjaftueshme, relevante dhe të sakta për të gjetur veprimtarinë shkencore të secilit, si dhe mundësi të matjes së rëndësisë shkencore të secilit punim. Ndër to po përmendi: Google Scholar, Scopus, Currnt Contens
 Express: Vitin e kaluar ishte hapur një debat për revistat shkencore dhe ato fiktive. Mirëpo, çështja s’ka shkuar deri në fund. Tregona revistat ku keni botuar ju punimet dhe ku dallojnë ato prej revistave fiktive?
Gani Bajraktari: Sot ka databaza të mjaftueshme, relevante dhe të sakta për të gjetur veprimtarinë shkencore të secilit, si dhe mundësi të matjes së rëndësisë shkencore të secilit punim. Ndër to po përmendi: Google Scholar, Scopus, Currnt Contens, etj. Për ne të fushës së mjekësisë, është po aq e rëndësishme edhe databaza PubMed. Nuk është e lehtë të botohet në revista prestigjioze të indeksuara në këto databaza. Revistat e indeksuara kanë një numër matës që quhet Impact Factor (IF). Në bazë të këtij numri vlerësohet revista. Ka revistë që ka IF shumë të lartë, p.sh. New England Journal of Medicine ka një IF = 54.4, ndërkohë që ka revistë që ka IF - 1, ose edhe më të vogë, duke fillaur nga 0.1. Mirëpo është një rregull ndërkombëtar: revistat që themelohen, dy vitet e para janë pa IF, përkatësisht IF e marrin pas vlerësimit të numrit të citimeve në dy vitet e para të themelimit. Sot, në botë çdo ditë themelohen revista të reja, shumica nga to me bord editorial eminent dhe janë shpresëdhënëse, dhe ka të tilla të cilat janë nga persona që kanë për qëllim përfitimin material. Këto revista, që nga disa quhen fiktive, në fakt mund të jenë revista legale në vendet ku janë të regjistruara, ato mund të kenë bordin editorial, numrin e regjistruar në vendet ku themelohen (ISBN), etj., dhe njerëzit mund të mashtrohen nga to. Ato janë të njëjta me ato kompanitë që ndajnë çmime të ndryshme, siç ishte rasti kur Universiteti i Prishtinës fitoi çmimin për cilësi në kundërvlerë të një pagese të caktuar, disa vite më parë! Pra, këto janë mashtrime legale. Mua çdo ditë më vijnë ftesa në e-mailat e mi për të dërguar punime në revista të ndryshme anekënd botës, për të marrë pjesë si ligjërues i ftuar (për ligjëratën duhet të paguash!!), etj. Unë zakonisht ato i lexoj kalimthi dhe i fshijë nga e-maili. Për fat të mirë unë kam pasur gjithmonë punime më tepër sasa janë kërkuar për avansime në Universitet dhe unë gjithherë kam zgjedhur revistat me impakt faktor, të cilat nuk mund të jenë fiktive. Mirëpo, edhe nëse dikush që ka shumë punime shkencore mund të jetë mashtruar nga një revistë e tillë, që dikush e quan e rrejshme, dikush fiktive, ndërsa unë do e quaja "mashtruese - legale", nuk do të duhej të mirrej si tragjike. Sepse kohë më parë dolën shumë më mirë në opinion ata që s'kishin botuar fare karshi atyre që iu gjet një punim në revista të tilla.
Express: Pse Universiteti i Prishtinës s’ka një databazë për t’i treguar stafit te vet se këto revista janë fiktive dhe s’bën të publikohen punimet shkencore?
Gani Bajraktari: Unë konsideroj se një databazë e tillë është e vështirë për t'u bërë. Numri i revistave shkencore sot në botë është tepër i madh, me një rritje enorme çdo ditë. Pastaj, Universiteti i Prishtinës nuk ka të drejtë të titullojë si fiktive një revistë, e cila është e regjistruar në një shtet, e cila ka një bord editorial, ka një ISBN, etj., pra, ka një legalitet ligjor në vendin ku botohet.
Universiteti i Prishtinës, nëse ka vullnet për një gjë të tillë, e ka më të lehtë të kuantifikojë revistat në bazë të impakt faktorit, dhe të vë një prag për fusha të caktuara shkencore dhe me një gjë të tillë do të pamundësonte avancimet nga revista të tilla, në ndërkohë që personeli akademik të jetë i lirë të publikojë ku të dojë. P.sh. në fushën e mjekësisë të thuhet saktësisht se punimet shkencore të publikuara në revista shkencore me IF më të lartë se 1.0 do të konsiderohen si punime të vlefshme për avancime akademike, dhe me këtë do të zgjidhej problemi.
Universiteti i Prishtinës duhet të bëjë një kauntifikim të punës në formën si e kanë Universitetet moderne anekënd botës. D.m.th të vlerësohet me pikë të caktuara një punim shkencor, një abstrakt, një ligjëratë, një seminar, një udhëheqje masteri, një udhëheqje doktorature
Express: Dihet se Universiteti i Prishtinës bën kontrata me stafin akademik vetëm për mësimdhënie por nuk kërkon në kontratë edhe angazhim në kërkime shkencore. Punimet kërkohen vetëm te avancimet. A duhet të vazhdohet kjo praktike apo diçka duhet të ndryshojë?
Gani Bajraktari: Është praktikë plotësisht e gabuar. Universiteti i Prishtinës duhet të bëjë një kauntifikim të punës në formën si e kanë Universitetet moderne anekënd botës. D.m.th të vlerësohet me pikë të caktuara një punim shkencor, një abstrakt, një ligjëratë, një seminar, një udhëheqje masteri, një udhëheqje doktorature, etj. Në fund të vitit të shihet se një profesor sa nga këto pikë ka mbledhur. Në Universitetet moderne, profesori punon për Universitet edhe kur është në avion, duke shkruar një punim shkencor, i cili botohet diku në një revistë, dhe i cili e ngritë rangimin e Universitetit përkatës. Aktualisht në Universitetin tonë më tepër janë vënë në pah çështjet formale sesa ato kualitative.
Express: Çka duhet të bëjë Ministria e Arsimit, UP’ja, për të ngritur punën shkencore të stafit akademik?
Gani Bajraktari: Konsideroj se në radhë të parë duhet të ndahet më shumë buxhet për shkencë, dhe të inkurajojë sa më shumë shkencëtarët e rinj, të rritë transparencën e ngritjes akademike, të ndryshojë mënyrën e trajtimit të punës shkencore të stafit aktual duke i dhënë proporcionin e duhur punës shkencore krahas asaj pedagogjike.
Megjithatë, në Fakultetin e Mjekësisë ka entuziastë individual, ka grupe shkencore dhe ka njerëz të rinj të interesuar për shkencë
Express: Realisht, sa bëhet shkencë në Universitetin e Prishtinës e edhe në Fakultetin e Mjekësisë ku jeni profesor dhe e ka shkencëtarë në Kosovë?
Gani Bajraktari: Për fat të keq nuk mund të jemi të kënaqur me punën shkencore në UP dhe në FM. Janë shumë faktorë që kanë ndikuar që të kemi pak rezultate shkencore. Në radhë të parë do përmendja të kaluarën e hidhur si komb, pastaj mungesën e perspektives së atyre që janë marrë me shkencë, mungesën e buxhetit, etj. Shkenca do shumë përkushtim, sakrificë, mund, durim, humbje të privilegjeve të tjera që mund të t’i dhuroj jeta, dhe për më tepër është një punë që zakonisht nuk shpaguhet në Kosovë. Megjithatë, në Fakultetin e Mjekësisë ka entuziastë individual, ka grupe shkencore dhe ka njerëz të rinj të interesuar për shkencë. Unë kam një grup punues të shkëlqyeshëm, të cilët çdo ditë të jetës së tyre shpenzojnë kohë për të bërë matje të ndryshme, për të plotësuar databazat e tyre me të dhëna, bëjnë shfletim literature, dizajnojnë projekte, bëjnë analiza statistikore dhe shkruajnë abstrakte, artikuj revyalë e punime shkencore, monitorimi dhe korrigjimi i të cilave mua më jep kënaqësi. Punimet shkencore të bëra në Klinikën e Kardiologjisë, QKUK, kanë zënë vend në revista të rëndësishme shkencore.
Unë dua të falënderoj, bashkëpunëtorët e mi ndërkombëtar, e në veçanti Profesor Michael Henein, kolegët e mi bashkëpunëtorë nga Tirana e Prishtina, grupin tim studimor në Klinikën e Kardiologjisë, mjekët e infermieret e kësaj klinike, si dhe familjen time, për mbështetjen e pakursyer, inkurajimin e tyre, mirësjelljen e durimin, për të realizuar së bashku këto rezultate, të cilat rezultuan me marrjen e këtij çmimi.
Më këtë rast, dua të inkurajojë të gjithë shkencëtarët e rinj në Kosovë, që të vazhdojnë rrugën e tyre të shenjtë, sepse shkenca të dhuron kënaqësi, jo vetëm individuale. Ajo është kontribut për vendin dhe mund të jetë kontribut i çmuar për njerëzimin. Me fat Viti i Ri 2015 !
Konsideroj se në radhë të parë duhet të ndahet më shumë buxhet 
për shkencë, dhe të inkurajojë sa më shumë shkencëtarët e rinj, të rritë transparencën e ngritjes akademike, të ndryshojë mënyrën e trajtimit 
të punës shkencore të stafit aktual duke i dhënë proporcionin e duhur 
punës shkencore krahas asaj pedagogjike...

No comments:

Post a Comment