“2014 ka pasur shkëlqimin dhe rënien e AKR-së. Në shkëlqim është pjesa kur ne arritëm të fitojmë dy komuna (në fund të 2013-s) dhe në fillim të 2014-s morëm detyrat dhe filluam me punë konkrete deri në zgjedhjet e përgjithshme kur u vërejt rënia, pra moskalimi i pragut zgjedhor. Viti 2014 ka qenë një mësim jo i lehtë për AKR-në, i cili ka treguar se çfarë kemi bërë gabim dhe çfarë mund të bëjmë më mirë në të ardhmen. Fakti që jemi duke qeverisur dy komuna është një shans i yni për t’u ritreguar”, ka thënë Kusari-Lila në këtë intervistë për “Epokën e re”.
Megjithatë, ajo ka paralajmëruar fuqizim të AKR-së në 2015-n nëpërmjet rishikimit të strukturave dhe Kuvendit të Punës.
“Në vitin 2015 kemi për synim ngritjen e AKR-së siç e meriton me një program të qartë dhe me një prezantim për qeverisje që i ka munguar deri më tani Kosovës. Pra, prioriteti i AKR-së në 2015-n është konsolidimi i strukturave politike dhe prezantimi dhe fuqizimi i programit ekonomik”, është shprehur Kusari-Lila.
Zëvendëspresidentja e AKR-së ka vlerësuar se 2014 ka qenë vit i rëndë për Kosovën.
“Ky vit e ka sjellë vendin në sfida të cilat kanë qenë të papërjetuara deri më tani, pra që nga përfundimi i luftës dhe shpallja e pavarësisë, ku u rrezikua funksionimi i shtetit”, ka theksuar ajo, duke shtuar se krijimi i koalicionit PDK - LDK ka qenë domosdoshmëri dhe presion i situatës së krijuar. Kusari-Lila ka thënë se ky koalicion duhet të jetë më i fokusuar kah proceset zhvillimore.
“Lufta ndaj korrupsionit dhe zhvillimi ekonomik janë dy elemente më kryesore sesa kalimi i pakove të ligjeve të domosdoshme për ta themeluar Gjykatën Speciale, për ta bërë reformën zgjedhore dhe çështjeve të tjera, por të jetë në funksion të një zhvillimi të mirëfilltë. Kosova ka shumë pak kohë për të pritur edhe një shans tjetër”, ka deklaruar ajo.

No comments:
Post a Comment