Tuesday, December 9, 2014

VV: Komuna e Mitrovicës po e legjitimon barrikadën mbi urë

Komuna e Mitrovicës javën që shkoi mbështeti panairin e organizuar mbi urën kryesore të lumit Ibër, ku më se 40 prodhues të ndryshëm nga radhët e komuniteteve nga mbarë Kosova ekspozuan produktet e tyre me moton “Të duam njëri-tjetrin”.

Për Qendrën e Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë kjo mbështetje e Komunës për këtë lloj aktiviteti është as më pak as më shumë se skandaloze. Përmes përkrahjes së këtij aktiviteti, Komuna e Mitrovicës po e legjitimon barrikadën e vendosur mbi urën e Ibrit kohë më parë nga Qeveria e Serbisë, përmes strukturave paralele në Kosovë.
“Deklarimi i Kryetarit Agim Bahtiri se “ky bashkëpunim ndërmjet qytetarëve të përkatësive të ndryshme etnike në Mitrovicë, dërgon mesazhin më të fortë tek bashkësia ndërkombëtare, se ura kryesore duhet të lirohet sa më parë nga barrikadat e vendosura nga ekstremistët dhe t'u lejohet qytetarëve që të bashkëpunojnë” është deklarim sa naiv aq dhe i dëmshëm, edhe pse është përpjekje për ta arsyetuar gabimin e madh që e ka bërë duke e përkrahur këtë panair. Qendra e Vetëvendosje në Mitrovicë konsideron se organizimi i panairit mbi urë, i shkon për shtati interesave të Serbisë në Kosovë, ashtu që ajo urë të mos jetë funksionale e të mos shërbejë për qarkullim e për bashkim, por të jetë objekt i ndarjes së dy pjesëve të qytetit. Ura duhet të hapet për qarkullim, e jo të shërbejë si Pazar”, thuhet në Komunikatën e lëshuar nga dega e Vetvendosjes në Mitrovicë

No comments:

Post a Comment