Friday, December 26, 2014

Vushtrri: T’i besosh Mulakut, sikur t’i besosh Babadimrit

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Vushtrri organizoi sot aksion simbolik përmes të cilit shprehën shqetësimet për vazhdimin e keqqeverisjes në këtë Komunë.
Vetëvendosje thekson se premtimet zgjedhore të partisë në pushtet, e veçanërisht të kryetarit Bajram Mulaku, vazhdojnë të mbesin premtime të parealizuara, rrjedhimisht mashtrime për qytetarët e Vushtrrisë.
“Edhe më tutje nuk ka luftë kundër krimit të organizuar, korrupsionit, nepotizmit, klientelizmit, shpërdorimit të parasë publike dhe punësimeve pa kritere. Kryetari Mulaku ka fituar dy mandate të qeverisjes lokale me premtimin se do të ketë ujë të pijshëm 24 orë në ditë, ndërkohë që qytetarët e Vushtrrisë akoma kanë mungesa të furnizimit me ujë të pijshëm në pjesën më të gjatë të ditës. Pavarësisht premtimeve për vende të reja të punës dhe zhvillim ekonomik, në Vushtrri po ndodhë e kundërta. Janë mbyllur shumë biznese të vogla dhe të mesme, si dhe ka falimentuar fabrika ‘Llamkos Galwasteel’. Vetëm nga mbyllja e kësaj fabrike kanë mbetur pa punë 477 punëtorë”, thekson Vetëvendosje.
Sipas VV-së, sistemin arsimor vazhdojnë ta përcjellin parregullsi, qoftë në punësimet pa kritere e në baza partiake nëpër institucionet arsimore, qoftë me keqpërdorimet në shpërndarjen e bursave për student, bursa të cilat edhe këtë vit kanë qenë në numër të ulët krahasuar me numrin e lartë të studentëve që ka Komuna jonë.
“Hiç më mirë nuk ka funksionuar as sistemi i shëndetësisë, pasi që edhe këtë vit qytetarët janë përballur me mungesën e barnave elementare, qofshin ato edhe për rastet emergjente. Gjithashtu, mosfunksionimi i laboratorit për analiza, funksionimi vetëm me termine dhe i pjesshëm i rëntgenit, aparatit të mamografisë dhe shumë shërbimeve të tjera, i kanë detyruar pacientët që të gjitha këto shërbime t’i realizojnë në ordinanca private... Pushtetin lokal e ka përcjellë edhe tenderomania, ku në shumicën e rasteve projektet kapitale i janë dhënë kompanisë ‘Rrukolli’, kompani kjo e afërt me pushtetin”, thuhet në komunikatën e VV-së. 

No comments:

Post a Comment