Friday, December 26, 2014

Akti terrorist i mbrëmshëm, Jahjaga takon Mustafën

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka takuar sot kryeministrin kosovar, Isa Mustafa dhe drejtorin e policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni dhe drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj.
Jahjaga, përmes llogarisë në Facebook, ka bërë të ditur se temë e takimit ishte gjendja e sigurisë në vend pas arrestimit të një të dyshuari me sasi të mëdha eksplozivi në Prishtinë.
“Sot kam takuar Kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa dhe krerët e mekanizmave të sigurisë, drejtorin e Policisë së Kosovës, Shpend Maxhunin dhe drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj për të vlerësuar gjendjen e sigurisë në vend pas arrestimit të një të dyshuari me sasi të mëdha eksplozivi në kryeqytet.
Përgëzoj Policinë e Kosovës për profesionalizmin dhe punën e mirë në pengimin e këtij veprimi terrorist dhe në mbrojtjen e sigurisë kombëtare të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj. Kërkova nga mekanizmat e sigurisë që të ngritin sigurinë e përgjithshme në Kosovë dhe apeloj te qytetarët që të bashkëpunojnë me organet e rendit që po e hetojnë këtë incident.
Njëkohësisht, duke marrë parasysh natyrën komplekse dhe serioze të këtij komploti të dyshuar terrorist u bëj thirrje shteteve të rajonit të bashkëpunojnë në zbardhjen e rrethanave dhe të ndihmojnë në sjelljen e aktorëve të përfshirë në këtë akt terrorist para drejtësisë.
Institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara që Kosova të mos bëhet vatër dhe shënjestër e aktiviteteve terroriste dhe institucionet e vendit do të bëjnë çmos që siguria kombëtare e Kosovës dhe e aleatëve të saj të ruhet dhe të garantohet”, ka shkruar Jahjaga në Facebook

No comments:

Post a Comment