Me kërkesën për rritjen e pagave ka dalë sot Federata Sindikale e Shërbyesve Civilë të Republikës së Kosovës, madje me kërcënimin se nëse nuk ndodh rritja, do të ndërmarrin të gjitha masat, deri në protesta dhe bojkotim të punës. Gjithashtu, u vlerësua se ngritja e pagave do të jetë premisë për uljen e korrupsionit.
Në një konferencë të organizuar nga FSShCRK-ja, udhëheqës të saj thanë se nëse nuk rriten pagat për 25 për qind, kjo do të krijojë pakënaqësi të madhe tek shërbyesit civil.
Kryetari i Federatës, Hajrullah Hoxha, tha se tani dy partitë që janë në koalicion qeverisës, duhet ta mbajnë premtimin e tyre për rritje të pagave, sepse me këto premtime edhe kanë fituar në zgjedhjet e fundit dhe kanë lidhur koalicion qeverisës.
Hoxha: Mosrritja e pagave do të krijojë pakënaqësi
“FSShCRK-ja konsideron se mosrritja e pagave për shërbyesit civilë do të krijojë pakënaqësi të konsiderueshme në mesin e shërbyesve civilë në administratën e Republikës së Kosovës, për arsye se ngritja prej 25 për qind u është premtuar që nga fushata zgjedhore e partive politike të cilat ke koalicion ndërtuan institucionet e shtetit të Kosovës. Tani duhet të marrin obligimin e deklaruar para elektoratit me programet e tyre”, tha Hoxha.
Ai i ka shprehur edhe kërkesat e Federatës, njëkohësisht edhe të shërbyesve civilë, që janë për Qeverinë e re.
Hoxha: Nëse nuk ngriten pagat, do të ndërmarrim veprime sindikale
“Rritja e pagave prej 25 për qind, zbatimi i Ligjit për pagat e shërbyesve civilë si dhe rishikimi dhe funksionalizimi i Rregullores për organizimin dhe sistemimin e vendeve të punës në institucionet e Kosovës, duhet të parashihen të implementohet nga 1 janari i vitit 2015. FSShCRK konsideron se nëse nuk do të respektohen këto kërkesa, do të jemi të detyruar të ndërmarrim veprime sindikale për realizimin e të drejtave tona, sipas Kushtetutës, ligjeve në fuqi dhe statutit të FSShCRK-së e akteve tjera normative të FSShCRK-së”, tha Hoxha.
Hoxha ka shtuar se nëse nuk rriten pagat, veprimet e tyre do të shkojnë deri në protesta dhe bojkotim të punës.
Hoxha: Ekziston mundësia e protestave
“Në qoftë se shteren mundësitë dhe nuk ka rezultate pozitive në lidhje me bisedimet, ekziston mundësia”, tha shkurt ai.
Madje, sipas tij, ngritja e pagave do të ndikoj edhe në uljen e korrupsionit në Kosovë, sepse sa me ë madhe të jetë shporta e konsumatorit, aq më e vogël është mundësia për ta korruptuar dikë.
Hoxha: Ngritja e pagave zvogëlon korrupsionin
“Unë jam i mendimit se po, ndikon në zvogëlimin e korrupsionit. Në fund të fundit janë organet kompetente që kryejnë punën e vet. Nuk është vetëm një problem, por është një premisë së mund të shkoj në zvogëlimin”, tha Hoxha.
I pyetur se pse duhet ta zbatojë Isa Mustafa premtimin e ish-kryeministrit Hashim Thaçi dhe Qeverisë së kaluar për rritjen e pagave, Hoxha tha se, kur është bërë harmonizimi i programeve mes dy partive, programi i ri nuk është askund në kundërshtim me programin e PDK-së, që kishte premtuar rritjen e pagave për 25 për qind çdo vit. Kosovapress

No comments:
Post a Comment