
Pavarësisht goditjeve të herëpashershme që po ua bën Policia e Kosovës kontrabanduesve me emigrantë, ikjet masive të kosovarëve drejt Hungarisë nuk kanë të ndalur, raporton KTV. Në këtë punë po del se gisht kanë edhe pjesëtarë të MUP-it serb.
Policia e Gjilanit ka konfirmuar se është arrestuar Milivoje Petroviq nga Kufca e Epërme, ish-polic në kohën e Millosheviqit. Ai dyshohet se ka kontrabanduar kosovarët nga Gadimja, Lipjani dhe Prishtina.
Kontrabandimin e ka bërë në mënyrë të organizuar, derisa besohet të ketë marrë nga 450 euro për person, kurse destinacioni i tyre ka qenë Subotica e më pas Franca.
Prokurori i Prokurorisë themelore të Gjilanit, Arben Kadriu, i ka thënë KTV-së se në pikat kufitare Dheu i Bardhë dhe Muçibabë, janë arrestuar edhe tre shqiptarë, po ashtu kontrabandues me njerëz. Te njëri nga ta, Bashkim Aliu - që po transportonte dy të rinj rrugëve ilegale - janë gjetur edhe formularë të hyrje-daljeve të Republikës së Serbisë, të lëshuara nga Policia në Konçul.
“Këta formularë janë vulosur me dy vula origjinale me mbishkrimin cirilik ‘Republika Serbia’, të cilët shërbejnë për të hyrë dhe më pas për ta liruar shtetin serb”, ka thënë Kadriu.Ai ka bërë të ditur se i dyshuari, Bashkim Aliu, po i transportonte dy të rinj nga Ferizaj për në Preshevë rrugëve ilegale dhe për këtë u kishte kërkuar ferizajasve nga 100 euro.
Të arrestuarit tjerë janë Fadil Salimani nga Dobrosini dhe Agron Salihu nga Tërrnoci, po ashtu të dyshuar për kontrabandim me emigrantë. /Koha/
No comments:
Post a Comment