Wednesday, December 31, 2014

Thirrje nga Peja: Festo pa rrezik, festo pa armë!

Në ditën e fundit të vitit dhe disa orë para ndërrimit të motmoteve, “Syri i Vizionit” ka mbështetur iniciativën e familjarëve të të ndjerës Shpresa Kastrati-Fetahaj, e qëlluar nga një plumb qorr në oborrin e shtëpisë së saj, derisa me familjarët po festonte Vitin e Ri.
Thirrja e kësaj familje: “Vitin e kaluar ishte motra jonë, këtë vit mund të jetë motra juaj”, është bërë moto e thirrjes kundër përdorimit të armëve gjatë festimit të ndërrimit të motmoteve, me të cilën janë ftuar qytetarët e Pejës që së bashku të japin mesazhin për festime pa të shtëna.
Të sensibilizuar nga thirrjet e vazhdueshme të ditëve të kaluara dhe aktivistët e organizatës nëpër rrjetet sociale, një numër i madh qytetarësh kanë dalë në sheshin e qendrës së Pejës për të bartur këtë mesazh.
“Thirrja e tyre ka qenë që të kemi festime të qeta dhe familjare, pa të shtëna dhe pa rreziqe”.
Bleona Kastrati, motra e të ndjerës Shpresa Kastrati-Fetahaj, ka thënë se në këtë vit ata po festojnë pa motrën e tyre Shpresën, porse me këtë aktivitet po ua tërheqin vëmendjen të gjithëve që rasti i tyre të mos i ndodh askujt më kurrë.
Në fund thuhet se të lënduarit nga armët dhe mjetet piroteknike nuk kanë qenë të pakët gjatë viteve të kaluara në Pejë dhe Kosovë, prandaj protestuesit kanë bërë thirrje që rastet kur gëzimi i dikujt përfundon me dhimbjen e tjetrit të mos ndodhin më kurrë.

No comments:

Post a Comment