Njëri nga komandantët e UÇK-së që po gjykohet në rastin “Drenica” do të mbetet pa avokat. Kjo si pasojë e mungesës së mjeteve për ta angazhuar edhe më tutje Haxhi Millakun si mbrojtës juridik të tij.Sabit Geci ka ardhur në këtë gjendje si rezultat i burgut të gjatë dhe mungesës së plotë të mbështetjes institucionale.
Largimin nga autorizimi për ta mbrojtur Gecin e ka konfirmuar vetë avokati haxhi Millaku.
“Që 12 vjet e kam mbrojtur Gecin nga të gjitha akuzat dhe fabrikimet që janë bërë kundër tij. E kam mbrojtur edhe në ditët më të vështira dhe jam solidarizuar me të, dhe për shkak të problemeve të mëdha shëndetësore që i ka. Ndaj tij, vazhdimisht ka pasur inskenime nga më të dhimbshmet, siç është rasti kur ia kanë infiltruar edhe fëmijët në veprime që, pastaj kanë dalë të pavërteta”, ka thënë Millaku për Indeksonline.
Por, sipas tij, mungesa e kompensimit e ka bërë të që të tërhiqet.
“Jam lodhur duke e mbuluar mungesën e çfarëdo përkrahje nga ish shokët ose të institucioneve, dhe kam vendosur të heq dorë nga autorizimi për ta mbrojtur më”, ka thënë Millaku.
Sipas tij, Geci ka qenë i anashkaluar në çdo proces kundër tij, dhe kjo ka ndodhur edhe në procesin e fundit gjyqësor të ashtuquajtur “Drenica”, ku disa ish krerë të UÇK-së po akuzohen për krime lufte.
Geci po e vuan një dënim tjetër për krime lufte.
Krerët e tjerë të UÇK-së të akuzuar në rastin Drenica janë lënë që të mbrohen në liri, pasi që kanë arritur që për këtë të deponojnë një shumë parash si garanci për gjykatën.
Sabit Geci, është njëri nga bashkëluftëtarët e parë të komandantit legjendar Adem Jashari. /Indeksonline/

No comments:
Post a Comment