
Shkrimet e sotme në disa media se shoferi dhe njëherësh nipi i Agim Bahtirit, Nehat Bahtiri e ka sulmuar rojën e parkingut të komunës, i ka hedhur poshtë kryetari i Mitrovicës duke thënë se nuk kanë të bëjnë asgjë me realitetin.
Bahtiri në një prononcim për Veriu.info ka thënë se nipi i tij, nuk e ka sulmuar rojën e parkingut.
“Kjo është tërësisht e pavërtetë dhe nuk ka të bëjë asgjë me realitetin. Kjo është një dezinformatë e publikuar në disa media, që për këtë duhet t’iu vije turp. Roja e komunës ka pasur mosmarrëveshje me një punëtor të sigurimit fizik që ruan komunën, por ai është pjesë e një kompanie private të cilën komuna e ka kontraktuar për kryerjen e shërbimeve të sigurimit. Në shkrimet e publikuara në një medium thuhet se në mosmarrëveshje përfshirë dy rojet e sigurimit të kryetarit, që është edhe kjo e pavërtetë pasi që unë nuk ka sigurim të veçantë, por sigurim ka vetëm komuna”, ka thënë i pari i Mitrovicës.
Kryetari i degës së OVL të UÇK-së, dega në Mitrovicë, Rafet Ibishi, në një bisedë për Veriu.info ka treguar se si ka rrjedhur ngjarja, sipas informatave që ai i posedon, pasi që është njëkohësisht menaxher i parkingut që komuna ia ka dhënë në menaxhim OVL të UÇK-së.
“Rasti ka ndodhur rreth orës 21:30, ndërsa unë jam informuar 45 minuta pas mesnatë për këtë, pasi që personat e përfshirë në konflikt kanë dalë nga policia. Unë menjëherë kam dalë në vend të ngjarjes për të parë për së afërmi se çka në të vërtetë ka ndodhur, pasi që roja e parkingut që është veteran i UÇK-së ka qenë në detyrë zyrtare. Nga informatat që kam marrë nuk e dimë se si ka ndodhur ngjarja, pasi që nuk ka pasur dëshmitarë, ndërkaq të dy palët e përfshira në konflikt akuzojnë njëra tjetrën”, thotë Ibishi, i cili është i sigurt se kacafytja nuk ka ndodhur me paramendim dhe as nuk ka pasur ndonjë motiv tjetër.
E tërë ngjarja është zhvilluar aty për aty, pra rastësisht. “Ne si OVL e UÇK-së besojmë se organet e drejtësisë do ta kryejnë punën e tyre”, thotë kryetari I veteranëve të Mitrovicës.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, në një prononcim për Veriu.info thotë se ky rast është iniciuar si lëndim trupor.
“Është iniciuar rast për lëndim trupor ndaj dy të dyshuarve, si ndaj punëtorit të sigurimit të parkingut, po ashtu edhe ndaj njërit person që ka qenë në veturë, e i cili është prezantuar si zyrtar komune”, thotë Zahiti.
Veriu.info ka kontaktuar me Arben Sahitin, i cili është punëtor sigurimi në komunë në kuadër të një kompanisë private që siguron komunën.
“Ne kemi shkuar në parking me veturë, ku unë isha me Nehat Bahtirin dhe një person tjetër. Roja fillimisht na e ka hapur laurën e parkingut dhe kur jemi futur brenda dhe kemi dalë nga vetura, ka ardhur sulmi nga roja e parkingut, i cili më ka goditur mua me kokë”, thotë Sahiti, duke mohuar se nipi i kryetarit është përfshirë në kacafytje.
Në anën tjetër, Qerim Hetemi, roja i parkingut të komunës së Mitrovicës, që menaxhohet nga OVL e UÇK-së, sot për media ka deklaruar shoferi i Agim Bahtirit, së bashku me dy roje të sigurimit të komunës e kanë rrahur dhe fyer. /Veriu.info/
No comments:
Post a Comment