
Komuna e Prishtinës do të trajtojë qentë endacak me metoda humane dhe do të pastrojë deponitë ilegale.
Ky vendim është marrë sot, pasi që kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka ngritur shkallën e gatishmërisë emergjente lidhur me çështjen e qenve endacak, me qëllim që të zgjerohen kompetencat për veprim të shpejtë dhe është mbajtur takimi i parë i Komitetit të Krizës lidhur me trajtimin human të qenve endacak.
Në takimin e Komitetit të Mbrojtjes dhe Shpëtimit, sipas njoftimit të komunës së Prishtinës, morën pjesë të gjithë anëtarët e komitetit, respektivisht përfaqësuesit e Policisë së Kosovës, FSK - së, Agjencioni i Veterinarisë dhe i Ushqimit të Kosovës, përfaqësues të Universitetit të Prishtinës – Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinës, OJQ – të për mbrojtjen e kafshëve dhe ato kinologjike, si dhe dy institucione profesionale, ku kanë hartuar një plan operativ, si dhe kanë përpiluar hartën e vendndodhjes së qenve endacak.
“Ngritja e gjendjes së gatishmërisë emergjente, u ndërmor me qëllim të parandalimit të incidenteve eventuale, pasi që një situatë e tillë paraqet rrezik për qytetarët dhe sigurinë publike”, thuhet në njoftimin e komunës.
No comments:
Post a Comment