Qytetarët e Prishtinës ende nuk kanë filluar t’i ndjejnë festat e fundvitit. Këtë mundësi nuk ua kanë dhënë drejtuesit e Komunës se Prishtinës, që ende nuk e kanë nxjerrë asnjë shenjë dekorues në kryeqytet. Sheshet e rrugët e Prishtinës, aktualisht janë duke i bartur vetëm disa flamuj e drita që kanë mbetur nga 28 nëntori.
Viteve të kaluara, në këtë kohë, Prishtina merrte krejt tjetër pamje. Në qeverisjen e Isa Mustafës, dekorimi i rrugëve të kryeqytetit niste nga 28 nëntori e përfundonte me 17 shkurt, ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Mirëpo, këtë avaz nuk është duke e vazhduar, Shpend Ahemiti, që drejton komunën e Prishtinës. Në këtë komunë ende nuk kanë shpallur as tender për këtë punë.
Express gjatë ditës së mërkurë ka kërkuar përgjigje nga komunë e Prishtinës, për çështjen e dekorimit.
‘Kur do të nisë dekorimi i kryeqytetit nga Komuna e Prishtinës për festat e fundvitit (Vitin e RI)? A është shpallur tender për këtë punë? Cila është vlera e këtij tenderi? Pse nuk ka filluar deri tani dekorimi i qytetit?’. Këto kanë qenë pyetjet që gazeta i ka dërguar në komunë, mirëpo nuk ka marrë asnjë përgjigje.
Vlen të përmendet se në vitin 2011, Komuna e Prishtinës, për dekorimin e qytetit për festat e fundvitit pati shpenzuar diku 25 mijë euro. Për vitin 2012 kishte shpenzuar 42.400 mijë euro, kurse në vitin qe lamë pas Komuna pati shpenzuar62.800 euro.
Në vitet e kaluar Komuna e Prishtinës dekoronte sheshet ‘Ibrahim Rugova’, ‘Skënderbeu’, ‘Nënë Tereza’, ‘Zahir Pajaziti’, komplet rruga ‘Agim Ramadani’ deri te ‘Xhamia e Llapit’, rruga ‘UÇK’, rrugët ‘Ilaz Kodra’, ‘Edi Durham’, shkallët në lagjen ‘Arbëria’ etj.

No comments:
Post a Comment