
Kryetari i Aleancës për Kosovën e re, Behgjet Pacolli, ka uruar arritjen e marrëveshjes mes PDK-së dhe LDK-së si dhe krijimin e institucioneve.
Ai ka thënë se një qeveri e ndërtuar nga koalicioni i dy partive më të mëdha të vendit është e rrallë në demokraci. Sipas tij, këso lloj marrëveshjes ndërtohen kur problemet, sfidat janë shumë serioze.
“Të tilla janë sfidat e Kosovës, për zhvillimin ekonomik, për rritjen e mirëqenies së qytetarit, për respektimin e ligjit, për shkolla më të mira, për spitale më dinjitoze. Nuk ka gjë më të dhimbshme sesa të shohësh nisjen e bashkëvendësve të tu, kryesisht të rinj, drejt emigracionit, duke i kthyer shpinën shtëpisë dhe familjes së tyre. Shpresoj shumë se qeveria do ta ndalojë këtë hemorragji të shpirtit kombëtar, që po na krijon dhe do të na krijojë probleme të mëdha. Shqiptari e ka të shenjtë marrëveshjen si komb. Meqë ne si klasë politike e kemi të dobët kulturën e marrëveshjes, të fjalës së dhënë, meqë kjo qeveri është ndërtuar mbi një marrëveshje e cila nga ana e vet u ndërtua mbi prishjen e një marrëveshjeje tjetër, unë dua të uroj që marrëveshja e dy forcave kryesore politike të Kosovës të jetojë gjatë. Pas shumë marrëveshjesh të prishura qoftë koha e një marrëveshjeje të mbajtur! Dua të besoj shumë në realizimin e programit të kësaj qeverie që ende s’e kemi parë megjithatë!”, ka thënë ndër të tjera Pacolli në një postim të tij në Facebook.
No comments:
Post a Comment