
Në prag të votimeve për kabinetin e ri të Qeverisë së Kosovës, në krye me Isa Mustafën, “Lista Serbe” ka nënshkruar marrëveshje me partitë e koalicionit të bashkëqeverisjes, Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).
Sipas kësaj Marrëveshjeje, serbëve ju ka takuar një post i zëvendëskryeministrit, dy poste ministrore, Ministria për Komunitete e Kthim dhe Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, si dhe 6 poste të zëvendësministrave. Pos kësaj, është parashikuar që komuniteti serb të fitoj edhe pozitën e zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës.
Njëri nga tre zëvendës kryeministrat e Qeverisë së re të Kosovës është, Branimir Stojanoviç nga “Lista Serbe”. Stojanoviç është 29-vjeçar dhe deri në momentin e zgjedhjes për zëvendës të kryeministrit, ai ishte kryetar i Komunës Graçanicës.
Gjatë bisedës për AA, ai theksoi se, me këtë marrëveshje janë caktuar parimet themelore të funksionimit të Qeverisë së re, ndër to edhe krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të parashikuar edhe me Marrëveshjen e Brukselit dhe që duhet zbatuar në 4 apo 5 muajt e ardhshëm. “Lista Serbe” ka kërkuar edhe rishqyrtimin e privatizimeve të bëra në komunat me shumicë serbe, sikurse edhe të pasurisë së serbëve në territoret e komunave të tjera, me qëllim që të sigurohet një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.
“Ne varemi nga buxhetet. Tani, a është buxhet i Kosovës apo është buxhet i Serbisë, është njësoj. Pa përkrahjen e drejtpërdrejtë financiare të cilën e kemi tani, pa këto rroga, ne nuk mund të mbijetojmë. Privatizimi në mënyrën se si është bërë deri tani, medoemos çon kah ajo se, ne nuk do të mund të krijojmë parakushtet elementare për një jetë normale dhe kjo do të rezultonte me zhdukjen e serbëve nga këto treva që, unë mendoj se nuk është në interes të askujt”.
Branimir Stojanoviç ka rikujtuar se, droni, ndeshja ndërmjet të Serbisë dhe Shqipërisë dhe gjithë ato që kanë ndodhur pas kësaj ndeshjeje, janë tregues i mirë se sa të brishta janë marrëdhëniet ndërmjet të serbëve dhe shqiptarëve, prandaj për forcimin e tyre duhet të punojnë edhe politikanët shqiptarë edhe ata serbë, duke mos e pritur iniciativën e BE-së. Ai personalisht nuk e ka fare problem të jetë në Qeveri së bashku me politikanët shqiptarë dhe pret që marrëdhëniet të jenë të mira dhe shoqërore.
“Ne kemi obligim ndaj njerëzve të cilët besojnë në një jetë të përbashkët këtu, jo një jetë të izolimit, të tjetërsimit, jo në jetë të pritjes së rastit për t’u revanshuar, sepse kjo është një gjë shumë e rrezikshme. Jo në një jetë e cila do të bazohet në vuajtje dhe pritje të një rasti por, që besojnë në një jetë reale, të sotmen dhe asaj që po ndodh në këtë moment, në mënyrë që të provojmë të ndërtojmë pajtimin i cili nuk do të jetë i lehtë.”
Sipas fjalëve të tij, përfaqësuesit e “Listës Serbe” në Qeverinë e Kosovës mund të jenë urë lidhëse ndërmjet të Prishtinës dhe Beogradit. Ai thekson se nuk është kurrfarë sekreti se , ai ka marrëdhëniet më të mira të mundshme me kreun e politikës së Serbisë, por kjo nuk është kurrfarë teorie e konspiracionit sepse, askush në Beograd nuk e ka ndërmend me udhëheq me popullin shqiptar’. Ai po ashtu shpreh kënaqësinë e tij për faktin se në Prishtinë ekziston vullneti për ta vazhduar Dialogun e Brukselit.
“Këto bisedime asnjëherë nuk ishin të lehta dhe as nuk pres se do të jenë të lehta sepse ka probleme. E dini se 70 vjet nuk janë takuar përfaqësuesit më të lartë të politikës (të Shqipërisë dhe Serbisë), kemi pasur konflikt serioz rishtas, para 15 viteve, ka shumë probleme, shumë çështje të pazgjedhura, presim formimin e gjykatës speciale dhe shumë tema tjera, mirëpo është shumë me rëndësi që të mos shmangemi nga kjo rrugë, sepse rruga drejtë Bashkimit Evropian është rrugë e bashkëpunimit dhe dialogut, pavarësisht se sa i vështirë do të jetë ai.”
No comments:
Post a Comment