Tuesday, December 23, 2014

LDK, shënohet 25 vjetori i themelimit

Sot mbushën njëzetepesë vjet që nga themelimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në këtë jubile, njëri ndër themeluesit e këtij subjekti, Jusuf Buxhovi thotë se LDK ka mbetur një parti që përbehet nga grupacione të ndryshme të interesit, të cilët kanë harruar apo edhe tjetërsuar fondamentin e saj moral, përgjegjësinë ndaj brezave dhe ndaj historisë.
Nisma për themelimin e një partie doli nga shkrimtarët Jusuf Buxhovi,Ali Aliu, Ibrahim Berisha, Mehmet Kraja dhe Xhemail Mustafa. Pas shumë bisedash, ata angazhuan koordinator të Këshillit nismëtar Jusuf Buxhovin, i cili mori përsipër kontaktimin me intelektualët e tjerë dhe hartimin e programit dhe statutit të partisë. Kjo nismë u përkrah dhe u nxitu nga intelektual të kohës si Ibrahim Rugova, Ajri Begu, Basri Çapriqi e Ramiz Kelmendi, të cilët me nënshkrimet e tyre, pranuan të bëhen anëtarë të Këshillit nismëtar për themelimin e partisë.
Kështu, në listën e nismëtarëve u gjendën edhe Fehmi Agani (që dha ndihmesë të konsiderueshme për versionin përfundimtar të tekstit të Programit të partisë), pastaj aktivistët Bujar Bukoshi, Zenel Kelmendi, Zenun Çelaj, Jusuf Bajraktari, Mustafë Radoniqi, Hysen Matoshi e Neshet Nushi, për t'u forcuar, më në fund, me akademikët dhe shkencëtarët si: Idriz Ajeti, Mark Krasniqi, Dervish Rozhaja, Anton Çetta dhe Zekiria Cana.
Kuvendi themelues u vendos të mbahej më 23 dhjetor 1989 në lokalet e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ku në emër të Këshillit nismëtar dhe të Kryesisë së punës, Programin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Statutin e saj e lexoi Jusuf Buxhovi. Në këtë Kuvend, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës u zgjedhë dr.Ibrahim Rugova, sekretar- Jusuf Buxhovi, anëtarë të Kryesisë: Fehmi Agani, Bujar Bukoshi, Ali Aliu, Nekibe Kelmendi, Mehmet Kraja, shkruan KP.
Nismëtari për themelimin e LDK-së, Jusuf Buxhovi, në një opinion ka shkruar se Lidhja Demokratike e Kosovës, pas 25 viteve të aktivitetit në shtetndërtimin e papërfunduar, ka dy pamje: -atë historike, si lëvizje kombëtare, që përfundon me ndërhyrjen e forcave të Aleancës euro-atlantike në Kosovë në qershor të vitit 1999, dhe tjetra,-atë të një partie politike në rrethanat e protektoratit ndërkombëtar e deri më sot, që përcillet me dukuri pothuajse si të të gjitha partive të tranzicionit, degradimit gradual dhe largimit nga vizioni fillestar që ishte projekti i një shtet modern të modelit perëndimor.
“LDK sot është një parti si të gjitha ato subjekte që e kanë një mision historik dhe që e lënë të papërmbyllur atë: e kapluar nga amnezioni i misionit të saj fillestar!
LDK nga një parti-lëvizje, duke u përpjekur të përshtatet një konteksti të ri historik, kaloi në margjina të procesit historik, duke harruar vizionin e saj për shtetin.
Ajo sot ka mbetur një parti që përbehet nga grupacione të ndryshme të interesit, të cilët kanë harruar apo edhe tjetërsuar fundamentin e saj moral, përgjegjësinë ndaj brezave dhe ndaj historisë. Në këtë gjendje arriti përmes një luftë të brendshme, gjatë së cilës ndodhi edhe pastrimi i partisë nga idealistët, që ishin promotor i zbatimit të filozofisë së saj politike dhe të zëvendësimit të tyre me profiterë, servilë dhe ndërmjetësues në pazaret me partitë e tjera.
Aq më keq që ajo sot në radhët e veta nuk e ka asnjë prej themeluesve të saj. Si e tillë LDK sot është shndërruar në një parti vasale e rivalëve dikur të ashpër dhe pa principe, të cilët e luftuan që nga fillimi, së brendshmi dhe së jashtmi, duke ia minuar principet e saj prijetare, që ishin ato të demokracisë perëndimore.
LDK sot është një parti pa parime, pa vizion, pa strategji për dalje nga kriza e thellë, e cila e ka kapluar sot këtë vend, parti që vendnumëron e kënaqur në një proces të mëtejmë të dezintegrimit të brendshëm. LDK sot gjendet para dilemës: të vazhdojë në procesin e margjinalizimit të mëtejmë apo të hapët për reformim parimor, gjithsesi të dhembshëm por ripërtëritës për këtë parti. Por, reformimi i Partisë nuk mund të merret me mend me kuadrin e tashëm që e ka uzurpuar.
Andaj, është obligim moral i strukturave drejtuese që të tërhiqen nga procesi reformues dhe të fillohet me rithemelimin e partisë përmes këshillave iniciative të padirigjuar nga individë dhe grupacione të interesit. Një proces i reformimit të kësaj natyre dhe demonopolizimi i partisë në këtë gjendje të erozionit moral të kësaj shoqërie duket se është një mision i pamundshëm.
Është e vështirë për tu besuar, por duket një realitet i pamohueshëm se LDK e ka mbaruar misionin e vet historik dhe se ajo tashmë po bëhet një subjekt që duhet t’i takojë arkivave dhe muzeve. A mund të lejohet edhe një komoditet i këtillë në një situatë kur projekti i shtetit të pavarur është në rrezik, kur e ardhmja e popullatës së këtij vendi është e paqartë – është një çështje që duhet ta preokupoje çdo qytetar e aq më shumë intelektualin e ditëve tona”, ka shkruar Buxhovi. 

No comments:

Post a Comment