
Kosova po vazhdon të boshatiset për çdo ditë nga migrimi ilegal, ndërsa mos shërimit të kësaj plage “aksidentalisht” po i kontribuojnë edhe shtetet perëndimore. Jo që Kosova nuk mori liberalizimin e vizave, por qytetarët e saj më kot presin në rreshta të gjatë para dyerve të ambasadave duke pritur për një vizë, për vizitë në ndonjërin nga vendet e BE-së.
Përveç dhjetëra dokumenteve që kërkohen për një vizë, e keqja tjetër është se nuk mund të bësh as termin për kërkim të vizës. Prandaj nëse një kosovarë dëshiron ta “prekë” kulturën perëndimore, i duhet të presë me muaj të tërë të pajisjet me vizë, ose të paktën nëse tenton të shkosh në Gjermani, duhet të presësh disa muaj (një stinë) për të ta caktuar terminin.
E derisa vendi nuk ka as shpresa se do të fitojë shpejt liberalizimin e vizave, gjendja e rëndë ekonomike, kriza politike, papunësia e madhe po kontribuon që kosovarët të ikin ilegalisht drejt BE-së.
Autobusë të mbushur me të rinj dhe familje që marrin rrugën e migrimit, nisen pothuaj nga të gjitha qytetet e Kosovës, e kështu është edhe në Anamoravë.
Një nënë po u blinte katër fëmijëve të saj çizme e rrobe të ngrohta dhe po i këshillonte ata që t’i marrin më të përshtatshmet, ngase, siç u thotë ajo, rruga që do të marrin do jetë e gjatë dhe me plot vështirësi.
Teksa paguan në arkë sikur në lavd ajo thotë se do të dalin jashtë vendit. “Burrit i kanë thënë se është një pjesë ku duhet me ecë në këmbë e unë vendosa t’u blej rroba të reja se rrugës s’i dihet. I kishin thënë se duhet me dal tash, se mas Vitit të Ri po u mbyllke azili, nuk po jepnin më”, i tregonte kjo grua rreth të pesëdhjetave, arkëtares e cila as që e kishte pyetur atë.
Në fshatrat e brezit kufitar të rajonit të Gjilanit me Luginën e Preshevës, nuk flitet gjë tjetër, veç se kush shkoi dhe sa kanë mbetur.
“Prej fshatit Bilinicë kishin shkuar 30 familje”, “...nga Pogragja mbrëmë u nisën 20 të rinj”, “...disa të Malishevës i kishin kthyer”, “...në shkolla po mungojnë nga 6-7 nxënës”, “Serbia ka lidhur marrëveshje me shtetet e Evropës për t’i zbrazur shqiptarët”, “...ky shtet po jep e ai tjetri nuk po jep azil...”, janë këto fjalë të përditshme që dëgjohen ndër banorë të Gjilanit. /zëri/
No comments:
Post a Comment