Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami dhe Ministri i FSK-së, Haki Demolli s’i kanë deklaruar të gjitha vendet e punës.
Hasani e ka fshehur punën që bën si ligjërues në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike. E dy Ministrat s’kanë deklaruar se janë edhe ligjërues në Universitetin Publik të Prizrenit. Express sjell faktet dhe dokumentet se si këta tre zyrtarë publik kanë shkelur ligjin duke mos i deklaruar të gjitha vendet se ku punojnë.
Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasanin, të mërkurave, mund ta gjeni në Vushtrri, prej orës 13 deri në 14.30. Aty, Hasani ligjëron lëndën e “Drejta Kushtetuese”.
Këtë punë që e bën kreu i Gjykatës Kushtetuese nuk e ka të deklaruar fare në formularin e Agjencisë Antikorrupsion.
Hasani ka deklaruar vetëm se është Kryetar i Gjykatës Kushtetuese, punon në Universitetin e Prishtinës dhe Universitetin Dardania si profesor si dhe konsulent në OJQ-në GIZ. Aty, askund nuk e ka përmendur se jep mësim edhe në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri.
Nga puna në Gjykatën Kushtetuese, ligjërimi dhe konsulenca, Hasani i merr 73 mijë e 928 euro në vit.
Në anën tjetër, Akademik Arsim Bajrami, po ashtu, ka fshehur një vend të punës në deklarimin e pasurisë të bërë në Agjencinë Antikorrupsion. Aty, askund s’e përmend se është staf i angazhuar në Universitetin e Prizrenit. Atje, Bajrami ligjëron lëndët “E drejta kushtetuese; E drejtë kushtetuese pozitive, Gjyqësi Kushtetuese”.
Ministri Bajrami ka deklaruar se punon në Kuvend të Kosovës si deputet, jep mësim në Fakultetin Juridik në UP, profesor në AAB dhe merr honorare nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Për një vit, Bajrami merr nga gjithë këto puna,vetëm 41 mijë e 200 euro. Nuk dihet sa para merr me angazhimet që ka në Universitetin e Prizrenit, shkruan Gazeta Express.
Sikurse Ministri i Arsimit, edhe ai i Forcës së Sigurisë, Haki Demolli, e ka fshehur punën që bën në Universitetin e Prizrenit. Në këtë universiteti, Demolli ligjëron lëndën “Kriminalistika, Politika Kriminale”.
Demolli ka deklaruar në Agjencinë Antikorrupsion, vetëm punët që bën në Kuvendin e Kosovës si deputet, si profesor në Universitetin e Prishtinës dhe atë Dardania. Ai ka shkruar se në muaj nga këto institucione merr2 mijë e 988 euro në muaj apo në vit i merr 35 mijë e 856 euro.
Të gjitha të dhënat janë marrë nga faqja zyrtare e Agjencisë Antikorrupsion, nga faqja zyrtare e Universitetit të Prizrenit dhe faqja e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike. /Express/
Këtë punë që e bën kreu i Gjykatës Kushtetuese nuk e ka të deklaruar fare në formularin e Agjencisë Antikorrupsion.

No comments:
Post a Comment