
Dy subjektet më të mëdha politike, partnere të koalicionit qeverisës në nivelin qendror, PDK-ja dhe LDK-ja, siç po duket Ferizajn po e kujtojnë vetëm nëpër fushata zgjedhore, atëherë kur edhe më së shumti u duhet për vota.
Se kjo, është më së e vërtetë, e tregon fakti se Ferizaj, prej pasluftës asnjëherë nuk është përfaqësuar në Qeverinë e Kosovës, me ndonjë post ministror.
Bile edhe komunat e vogla për rreth tij, Shtimja e Kaçaniku, kanë pasur ministra, e kjo e fundit edhe për të dytën herë në këtë mandat.
Qytetarët ferizajas, por edhe përfaqësues të shoqërisë civile, nuk po mund të besojnë se një qendër si Ferizaj, me një rëndësi të madhe ekonomike e politike, të anashkalohet në këtë masë.
Ata shprehin habinë e tyre, se si një bastion i këtyre dy subjekteve politike, që në total u sjell 1/10 e votave po anashkalohet dhe po injorohet.
Qytetarët, një pjesë bukur të madhe të fajit ua hedhin edhe liderëve lokal të cilët siç po duket nuk po e kanë fuqinë ndikuese.
Për Arben Ramadanin, student i masterit në shkencat juridike, kjo që po ndodhë me Ferizajn, nuk është e pa pritshme, kur dihet se kjo komunë që prej pas lufte nuk ka pasur post ministror.
"Është për t'u ardhur keq sepse e meriton Ferizaj që ta ketë një ministër, të përfaqësohet me një ministri, kur dihet se edhe PDK-ja edhe LDK-ja çdoherë bastione kanë pasur Ferizajn. Votat e Ferizajt kanë vendosur për këto dy subjekte politike", ka thënë Ramadani.
Edhe, Bahrije Bytyqi, nga Ferizaj, ua kujton liderëve të këtyre dy subjekteve premtimet që i kanë dhënë në fushatën zgjedhore. Ajo përmend një fakt, se si një zyrtare e PDK-së gjatë fushatës zgjedhore në Ferizaj, haptas pati deklaruar, se Ferizaj do ta ketë përfaqësimin e tij edhe në nivelin ministror.
"Tash ajo zyrtare është rehatuar jashtë Kosovës, në një shtet si diplomate dhe nuk qanë hallin më për premtimet e bëra në kohë fushate", shpjegon ajo.
Shoqëria civile e Ferizajt, i ndanë të njëjtat shqetësime me qytetarët e komunës, duke thënë se kabineti i fundit qeveritar është komponuar në bazë të klaneve dhe interesave.
Ilir Buzhala nga "Avonet" ka thënë për KosovaPress, se kjo organizatë shumë shpejtë do të dalë me një deklaratë lidhur me këtë çështje dhe se është mospajtuese që të mos kemi përfaqësim ministror.
"Ferizaj, pas Prishtinës zë vendin e dytë për nga zhvillimi ekonomik, e treta për nga banorët dhe numrin më të madh të votave këto dy subjekte e kanë marr nga kjo komunë. Shumë keq që nuk kemi përfaqësim në nivel të ministrit", shprehet Buzhala.
Ka edhe mendime, se çdoherë ministrat janë zgjedhur si rezultat i konjukturave partiake dhe ndërpartiake.
Profesori, Enver Bajrami, mendon se sipas traditës sonë të "demokracisë autokratike", ministrat çdoherë zgjidhen si rezultat i këtyre konjukturave, por që sipas tij, është momenti i fundit që kjo logjikë e patriotizmit provincial të përfundoj.
"Sa i përket Ferizajt, mendoj që as Ferizajt por edhe Kosovës, nuk i duhen ministra të mediokritetit intelektual, njerëzor e moral", ka thënë Bajrami.
Kjo çështje po përflitet më të madhe në Ferizaj, së fundi po përmendet edhe një barsoletë, se Ferizaj përfundon në Babush, e jo në Prishtinë.
Qytetarët thonë se veprimi i fundit në qendër, duhet t'u shërbej si leksion liderëve të lokal të këtyre dy subjekteve, se votat e qytetarëve të Ferizajt nuk janë konvertuar në përzgjedhje ministrore ashtu siç kanë premtuar gjatë fushatës zgjedhore.
No comments:
Post a Comment