
Partia Demokratike e Serbisë (DSS) i ka kërkuar Qeverisë serbe që të përgjigjet se a është e vërtetë që Bashkimi Evropian (BE) Serbisë i ka vënë ultimatum për të zgjedhur mes BE-së dhe Kosovës.
DSS kërkon që të bëhen publike të dhënat dhe shënimet zyrtare të takimeve që lidershipi serb ka pasur me zyrtarë evropianë rreth kësaj teme.
Në takimin e përfaqësuesve kryesorë të DSS-it, të Lëvizjes “Dveri” dhe intelektualëve serbë, u shpreh shqetësimi në lidhje me deklaratat diametralisht të kundërta mes presidentit Tomisllav Nikoliq, kryeministri Aleksandar Vuçiq dhe ministrit të Jashtëm Ivica Daçiq rreth përmbajtjes së bisedimeve me komisionarin e BE-së, Johannes Hahn, dhe zyrtarët tjerë evropianë, transmeton Telegrafi.
“Ne këmbëngulim në nisjen e një debati të gjerë për integrimin evropian, në të cilin përveç përfaqësuesve të pushtetit do të marrin pjesë të gjitha partitë politike, individë të shquar dhe institucionet më të rëndësishme kombëtare, siç është Kisha Ortodokse e Serbisë dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve”, thuhet në deklaratën e DSS-it.
“Ne kërkojmë që gjatë këtij debati të pezullohen të gjitha format e negociatave për anëtarësim në BE, përfshirë plotësimin e të gjitha kushteve të mëparshme, si dhe ultimatumet e këtyre negociatave”, kërkoi DSS.
No comments:
Post a Comment