Thursday, December 11, 2014

BE emëron Kryeprokurorin e ri për Gjykatën Speciale

Juristi amerikan David Schwendiman do të jetë kryeprokurori i ri i për të hetuar krimet e supozuara të luftës që pritet të ndjekë penalisht figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka mësuar BIRN.

Schwendiman, puna e fundit e të cilit ishte në hetimet e mashtrimit dhe korrupsionit në Afganistan, do ta zëvendësojë Clint Williamson këtë javë, si kryeprokuror i Task Forcës Speciale Hetuese të BE-së, i thanë BIRN-it burimet në BE.
Ky nuk është emërimi i parë i Schwendiman në Ballkan, i cili ka punuar si prokuror ndërkombëtar në Bosnje dhe Hercegovinë nga viti 2006 deri më 2009, dhe ka kryesuar departamentin e prokurorisë speciale për krime lufte gjatë dy viteve atje.
Gjykata speciale do të ngritet në Holandë dhe disa figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pritet të akuzohen për krime të dyshuara të kryera gjatë dhe pas luftës 1998-1999.
Gjykata do të dëgjojë rastet që do të dalin nga raporti i fundit i Task Forcës Speciale Hetuese të Bashkimit Evropian e cila tha se zyrtarë pa emër të UÇK-së do të përballen me padi për "fushatën e persekutimit" kundër serbëve, romëve dhe shqiptarëve të Kosovës që besohet të jenë bashkëpunëtorë të regjimit të Beogradit.
Krimet e dyshuara përfshijnë vrasje, rrëmbime, burgosje të paligjshme dhe dhunë seksuale.
Gjykata e re është dashur të fillojë punën në janar 2015, por është vonuar për shkak të mosmarrëveshjes politike që lanë Kosovën pa një qeveri për gjashtë muaj pas zgjedhjeve parlamentare në qershor.

No comments:

Post a Comment