Tuesday, December 16, 2014

Bahtiri: Gjuriqi e Rakiqi po shpifin, barrikada do të hiqet

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, i ka cilësuar të pavërteta, jo të sinqerta dhe shpifje deklaratat e drejtorit të Zyrës për Kosovën pranë Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq dhe kryetarit të Komunës së veriut te Mitrovicës, Goran Rakiq, që i bënë ditë më parë se Bahtiri është pajtuar në Bruksel për vendosjen e “Parkut të paqes” .
“Qytetarët e Mitrovicës, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, e dinë fare mirë qëndrimin tim se barrikada e turpit në shekullin 21 duhet të largohet sa më parë nga ura. Këtë e di fare mirë edhe Rakiqi, të cilit ia kam thënë në sy, si në Mitrovicë e Prishtinë, ashtu edhe në Bruksel”, ka thënë Bahtiri përmes një komunikate për media.
“ Ia kujtoj edhe njëherë Rakiqit, se unë nuk kam ardhur nga Holanda, për të lejuar vendosjen e barrikadave mbi urë, që pengojnë lëvizjen e qarkullimin e lirë të njerëzve e mallrave dhe integrimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve, sepse urat ndërtohen për t’i ofruar, bashkuar dhe integruar njerëzit”.
“Kam ardhur këtu, që përmes zhvillimit ekonomik të qytetit, të largoj këto pengesa të pakuptimta, të hap perspektivë për të gjithë qytetarët, qofshin ata shqiptarë, serbë, turq, boshnjakë, romë e të tjerë, në mënyrë që ata të integrohen, të bashkëpunojnë dhe të jetojnë e punojnë në paqe e fqinjësi të mirë. Koha po tregon se unë kam pasur të drejtë, pasi që sot në pjesën jugore të qytetit për çdo ditë kalojnë mijëra serbë”, ka thënë Bahtiri.
“ Ata vijnë e bëjnë tregti, vijnë në komunë tek unë për çështje të ndryshme, takohen me fqinjët e tyre, kryejnë edhe punë të tjera dhe asnjë incident, sado i vogël qoftë ai, deri sot nuk është shënuar. Kjo tregon se qytetarët serbë janë jetësisht të interesuar për paqe, janë të interesuar që të punojnë bashkë me shqiptarët e të tjerët, për të siguruar ekzistencën. Ata nuk e ndjekin më logjikën e konfrontimit, logjikën e ndarjes e të izolimit, sikur i udhëzojnë Gjuriqi, Rakiqi, e liderë të tjerë serbë, që kanë mbetur robër të mendësisë së tejkaluar dhe nuk i shohin zhvillimet dhe proceset e reja demokratike”.
“Se është kështu tregon edhe fakti se vet përfaqësuesit e shoqërisë civile serbe, nga veriu i Republikës së Kosovës, në një tryezë që mbajtën këto ditë, kërkuan nga liderët serbë të tipit të Gjuriqit, Rakiqit e të tjerë, që të përfaqësojnë interesat e qytetarëve që jetojnë në Republikën e Kosovës, që të kuptojnë realitetin e ri të krijuar, të mbrojnë interesat e tyre këtu dhe jo të dirigjohen nga Beogradi’, ka thënë Bahtiri, përmes një komunikate të lëshuar nga zyra për informim e Komunës së Mitrovicës.
Ai ka ftuar Gjuriqin e Rakiqin, të dëgjojnë zërin e qytetarëve serbë në veri të Republikës së Kosovës, por edhe zërin e shqiptarëve dhe të tjerëve, që të lejojnë heqjen e barrikadës qysh sot.
Në komunikatë më tej thuhet se kryetari Bahtiri është i gatshëm, që të bëj gjithçka që është e mundur dhe të jap kontributin e tij maksimal në këtë drejtim.
Sipas tij, barrikada mbi urë patjetër do të hiqet një ditë dhe ajo nuk është larg.
“Edhe Gjuriqi e Rakiqi duhet të më mbështesin në këtë drejtim dhe të ndërmarrim aktivitete të përbashkëta për të mirën e qytetarëve. Garantoj Gjuriqin dhe Rakiqin se nuk do të ketë asnjë kërcënim nga shqiptarët për popullatën serbe në veri, e as për liderët serbë që po i pengojnë qytetarët që të bashkëpunojnë dhe të zhvillojnë qytetin e tyre për një ardhmëri më të mirë për të gjithë”, thuhet në deklaratën e Bahtirit.

No comments:

Post a Comment