Ahmeti uron Mustafën për postin e kryeministrit

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka uruar Isa Mustafën për postin e kryeministrit, duke ofruar bashkëpunim në intensifikimin e përpjekjeve për përafrim edhe më të madh të Shkupit me Prishtinën dhe që sa më shpejt të realizohen mbledhje të përbashkëta midis dy qeverive, ku do të diskutohet zbatimi i marrëveshjeve të shumta bilaterale.“Kam nderin e veçantë që në emër të të gjithë neve pranë Bashkimit Demokratik për Integrim, t’ju uroj për zgjedhjen tuaj për Kryeministër të Republikës së Kosovës duke ju shprehur dëshirat më të sinqerta për shëndet dhe sukses në kryerjen e detyrës së re. Ditë më parë, e pash të udhës që ta përshëndes arritjen e marrëveshjes midis dy partive më të mëdha politike në Kosovë, marrëveshje kjo që tashmë u zbatua në kuvend nëpërmjet të zgjedhjes së qeverisë së Kosovës Duke ju përgëzuar juve bashkë me të gjithë anëtarët e kabinetit të ri, ju ftoj që bashkërisht t’i intensifikojmë përpjekjet tona për përafrim edhe më të madh të Shkupit me Prishtinën dhe që sa më shpejt të realizojmë mbledhje të përbashkëta midis dy qeverive ku do të diskutohet zbatimi i marrëveshjeve të shumta bilaterale, përfshirë edhe nevojën për kalim të kufirit vetëm me letërnjoftime dhe menaxhim të integruar të kufirit si dhe lidhjen infrastrukturore midis Maqedonisë dhe Kosovës”, thuhet në telegramin e urimit.
No comments:
Post a Comment