Sunday, January 4, 2015

SBASHK-u nuk tërhiqet: Kryeministri ka afat deri më 9 janar t’i rris pagat!

Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës e Kosovës (SBASHK) nuk e ka ndërmend që të tërhiqet nga ultimatumi i dhënë Qeverisë së Kosovës, për rritjen e pagave, pavarësisht pse kjo rritje nuk është përfshirë në buxhetin për vitin 2015. Këtë e ka konfirmuar kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.
Jasharaj ka thënë se presin së pari zbatimin e Kontratës Kolektive, e cila është nënshkruar në prill të vitit të kaluar, e pastaj edhe rritjen e pagave, ashtu siç edhe u është premtuar nga kryeministri i kaluar, Hashim Thaçi.
“Ne i kemi dhënë afat qeverisë që deri më 9 janar të reflektoj. Presim që pas përfundimit të festave të vitit të ri, të reflektoj qeveria dhe të na i rris pagat. Ne së bashku edhe me sindikatat tjera, jemi në pritje të ofertës, dhe pastaj do të diskutojmë edhe me anëtarësinë. Dhe si do të vendos anëtarësia, ne do të veprojmë”, ka thënë jasharaj për Gazetën Blic.
Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë e bojkotit të mësimit nëse nuk do të ketë rritje të pagave.
“Nuk do të heqim dorë në asnjë mënyrë nga rritja e pagave. Jemi duke pritur ofertën konkrete nga Ministri i Financave dhe nga ai i Arsimit, që pastaj ta diskutojmë atë ofertë dhe të vendosim për hapat tjerë”, ka thënë i pari i sindikatës së Arsimit.
I pyetur se si do të ndodhë rritja e pagave kur dihet se kjo rritje nuk është përfshirë në buxhetin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës, Jasharaj ka thënë se edhe në të kaluarën ka ndodhur rritja e pagave me vendim të Qeverisë.
“Nga Qeveria kanë thënë se janë duke kursyer nga kategoritë tjera të buxhetit në mënyrë që të implementohet Kontrata Kolektive, e cila ndër të tjera parasheh kompensimin për shujtat, kompensimin e biletave të autobusëve për mësuesit deri në 70 për qind, dhënien e tri pagave të plotë për mësuesit që pensionohen etj.”, ka thënë ndër të tjera në këtë bisedë për Gazetën Blic, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.
Mirëpo, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa në seancën e fundit të Kuvendit, ku u miratua buxheti e tha se nuk ka rritje të pagave dhe pikë. Ai në foltore të Kuvendit tha se ka mundësi të rriten pagat, por sipas tij, kjo mund të ndodhë vetëm në përputhje me rritjen ekonomike të vendit.
Edhe ministri i Financave, Avdullah Hoti në një intervistë që e ka dhënë sot për mediet ka bërë të ditur se nuk do të ketë rritje të pagave nga janari, ashtu siç po kërkojnë sindikalistët. Ai ka thënë se rritja e pagave do të shkoj në proporcion me rritjen ekonomike të vendit.
“Pagat për të gjithë të punësuarit në sektorin publik do të rriten në baza të rregullta në përputhje me rritjen e buxhetit të shtetit. Ne si Qeveri e Kosovës, përveç obligimit që punëtorëve të sektorit publik t’i krijojmë një mirëqenie të mirëfilltë, për obligim e kemi edhe që një mirëqenie të tillë të krijojmë edhe për pjesën tjetër të qytetarëve të Kosovës, ku shumica janë të papunë dhe pa asnjë përkujdesje shtetërore”, ka thënë Hoti.
Për dallim nga Isa Mustafa dhe nga Avdullah Hoti, zëvendëskryeministri i Kosovës, dhe njëherësh kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi ka thënë se ka qenë rendi që të rriten pagat. Madje, ai ia ka treguar Isa Mustafës rrugën se si mund të rriten pagat, përmes një vendimi të veçantë të qeverisë. /Gazeta Blic/

No comments:

Post a Comment