Tuesday, December 9, 2014

Vjosa Osmani, “burrneshë” apo pragmatiste!?

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, kundërshtimin e saj për koalicionin në mes LDK-së dhe PDK-së, të hënën dhe të martën e ka vërtetuar edhe praktikisht, duke votuar kundër të nominuarit, nga koalicioni PDK- LDK, për kryetar të Kuvendit dhe pastaj edhe emrave të kabinetit qeveritar të propozuar nga Isa Mustafa.
Analisti politik Shpend Kursani, ka thënë për Telegrafin se vota kundër qeverisë së drejtuar nga Isa Mustafa, nga ana e disa deputetëve të LDK-së, janë vetëm një element i demokracisë se brendshme brenda kësaj partie.
Sipas tij, liria e veprimit dhe e shprehjes është vetëm një element i vogël i demokracisë.
“Se sa ka demokraci në LDK, më së miri e tregon varësia e partisë në epshet politike të një individi, përkatësisht Isa Mustafës, i cili e futi partinë në koalicion me ata të cilët partia e tij i akuzonte t'ia kenë vrarë veprimtarët”, ka theksuar Kursani.
Ndërsa, “rezistencën” e deputetes së LDK-së, Vjosa Osmani në raport me lidhjen e koalicionit në mes LDK-së dhe PDK–së, votimin kundër të propozuarit për kryetar të Kuvendit dhe Qeverisë së propozuar nga Isa Mustafa, ai e ka konsideruar si konsistencë e qëndrimeve të saj, sa i përket çështjeve kyçe të vendit.
Sipas tij, edhe gjatë mandatit të saj paraprak në Kuvend, ajo kundërshtoi proceset e dëmshme për Kosovën, përderisa shumica në partinë së cilës ajo i përket e bënë të kundërtën.
“Kështu që këtë veprim të Osmanit e shoh si vazhdimësi e veprimtarisë së saj parlamentare të mëhershme. Nuk shoh as si inat personal, e as inat brenda partiak. Në fakt sa për ironi, po del e vetmja deputetja Vjosa Osmani që po duhet tash t'ia mbajë premtimet e veta Isa Mustafës që i ka dhënë”, ka deklaruar Kursani.
Ndryshe, Vjosa Osmani vazhdimisht ka qenë kundër krijimit të koalicionit të partisë së saj me PDK-në.
Ajo këtë e ka dëshmuar edhe përmes votës së saj, fillimisht duke votuar kundër, në Këshillin Drejtues të LDK-së, marrëveshjes në mes LDK-së dhe PDK-së, pastaj edhe me votimin kundër të nominuarit për kryetar të Kuvendit dhe emrave të Qeverisë së propozuar, të martën, nga ana e Isa Mustafës.
Osmani në zgjedhjet e 8 qershorit ka qenë femra më e votuar në Kosovë, me mbi 30 mijë vota të fituara, njëkohësisht personi i dytë më i votuar në LDK, pas liderit të partisë, Isa Mustafa.
Emri saj është lakuar disa herë nga mediat, si opsion për ta zëvendësuar Mustafën në krye të LDK-së, dhe krejt kjo për shkak të qëndrueshmërisë së Osmanit në fjalën e dhënë.

No comments:

Post a Comment