Monday, December 29, 2014

Serbia s’ka rrugë tjetër, duhet ta njoh pavarësinë e Kosovës

Nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se koalicioni PDK - LDK është zgjidhja më e mirë për qytetarët e Kosovës. Ai ka treguar se PDK-ja nuk i ka bërë ofertë Ramush Haradinajt për t’u bërë kryeministër.
“Ne nuk kemi pasur mundësi që pas zgjedhjeve t’i bëjmë askujt ofertë. Të vetmen ofertë të cilën e kemi bërë ka qenë për z. Mustafa. Unë nuk kam informatë se dikush nga PDK-ja ia ka ofruar z. Haradinaj postin e kryeministrit. Z. Thaçi dhe z. Mustafa janë takuar dhe janë marrë vesh se çfarë formule qeverisëse do të duhej të ndërtohej”, ka thënë Hoxhaj për “Epokën e re”.
Hoxhaj ka thënë se Hashim Thaçi ka treguar sjellje të një politikani burrështetas, duke ia lëshuar postin e kryeministrit LDK-së për të mirën e shtetit.
Hoxhaj ka folur edhe për mospërfshirjen e tij në kabinetin qeveritar.
“Fakti që kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës vendosi ta vazhdojë angazhimin e tij në politikën e jashtme, për mua ishte edhe mundësi të angazhohem edhe në jetën parlamentare dhe private, e jo patjetër të marr një pozitë në qeveri për ndonjë sektor që nuk kisha as motiv, as vullnet politik, as përgatitje profesionale. Kam qenë për dy mandate në qeveri dhe mendoj se e kam dhënë kontributin tim maksimal”, është shprehur ai.
Duke folur për procesin e dialogut me Serbinë, Hoxhaj ka thënë se Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës sepse, sipas tij, nuk ka rrugë tjetër.
Hoxhajt i vjen keq që Serbia ende s’ka arritur ta kuptojë realitetin e ri të Kosovës.
“Fakti që dikush si Marko Gjuriqi merret me Kosovën dhe përmend Esat Pashën si ‘figurë të miqësisë shqiptaro-serbe’, flet për një qasje kolonizuese, shtypëse, hegjemone, që edhe më tutje dikush mund ta ketë në kokën e tij në Beograd”, ka thënë Hoxhaj. /Epoka e Re/

No comments:

Post a Comment