
Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, e ka vlerësuar si të dështuar shtetin e Kosovës për vitin 2014.
“Këtë vit e kemi vërejtur një dështim të plotë të gjyqësorit të Kosovës. Reformat e bëra në gjyqësor tani e dy vite apo tri vite po dëshmohen krejt të pavlefshme. Kur them dështimi, mendoj edhe në gjykatat edhe në Prokurori, në të gjitha nivelet, duke filluar nga Gjykata Kushtetuese. Prokuroria nuk është më mirë se gjykatat, është në gjendje të njëjtë. Me theks të veçantë tash po e përmendi: në Prishtinë, të udhëhequr nga zotëri Imer Beka, hapen raste hetimi kundër institucioneve publike në mënyrë anonime, pa asnjë fakt, pa asnjë bazë, hetime që zgjasin jashtë çdo afati ligjor, pa dhënë asnjë rezultat, pa treguar fare bazën e hetimit, pa nxjerrë kurrfarë të dhënash dhe ato janë hetime që nuk mund të përfundojnë. Një hetim është hapur ka dy vite e gjysmë, kundër Institucionit të Avokatit të Popullit dhe natyrisht që Prokuroria shtetërore edhe e Prishtinës janë të interesuara ta mbajnë të fshehur”, tha ai.
Kurteshi theksoi se si rrjedhojë e dështimit të gjyqësorit në vend, po krijohet Gjykata Speciale.
“Këta gjyqtarë, sidomos krerët, as nuk kanë guxim, as mundësi, as dije për të udhëhequr një gjyqësor dhe këtë po e dëshmojnë. Kësaj i themi: ‘Një qen i keq ta bjen ujkun në torishtë’!”, tha ai.
Kurteshi theksoi edhe se institucionet e shtetit po e shkelin ligjin dhe Kushtetutën me presion të ndërkombëtarëve.
“Këtë e kemi parë me vazhdimin e mandatit të tre gjyqtarëve të Kushtetueses, edhe pse zyra e presidentes dhe presidentja vetë kanë konstatuar se vazhdimi i mandatit duhet të shkojë përmes Kuvendit, sepse Kuvendi duhet t’i propozojë. Megjithatë, pas insistimit dhe pas presionit të bërë nga EULEX-i, ka lëshuar pe duke e shkelur Kushtetutën. Kjo është shkelje e Kushtetutës”, deklaroi Kurteshi.
Sipas tij, si rrjedhojë e gjithë këtyre zhvillimeve në vend, qytetarët e Kosovës në fund të këtij viti kanë filluar ta lëshojnë vendin.
“Njerëzit janë të dëshpëruar dhe nuk presin përmirësime, kërkojnë rrugë të tjera dhe kjo lidhje në mes të zhgënjimit dhe dëshpërimit është shqetësuese”, tha ai.
Kurteshi si dështim të shtetit e përmendi edhe mos zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit nga Kuvendi i Kosovës. /KP/
No comments:
Post a Comment