Friday, December 19, 2014

Rajoni mund të ketë destabilizim politik e kufitar

Drejtori i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), Lulzim Peci tha se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë arritur një përparim në reformimin e politikave të tyre të sigurisë dhe të mbrojtjes në pajtim me kërkesat e BE-së dhe autoritetin për paqe, por se rreziku për destabilizim ende ekziston.
Ai këto komente i bëri në prezantimin e raportit “Kosova në kontekstin e sigurisë dhe mbrojtjes të Ballkanit Perëndimor”, sipas të cilit në vendet e rajonit mund të ketë destabilitet politik, fetar e kufitar.
“Duke u bazuar në dokumente të sigurisë dhe të mbrojtjes kombëtare të këtyre vendeve janë disa rreziqe kyçe që mund ta destabilizojnë rajonin dhe të shkaktojnë rishfaqjen e konflikteve të armatosura përfshirë këtu edhe reagimet konvencionale. Në mesin e tyre më kryesoret janë kërcënimet e natyrës politike, pra ato nacionaliste, etnike dhe fetare si dhe ato të shtetformimit, kufijve të kontestuar dhe të papërcaktuar”, ka thënë ai.
Peci po ashtu ka shtuar se sipas hulumtimit të bërë, buxhetin më të madh për ushtri dhe industrinë më të madhe ushtarake e kanë Kroacia dhe Serbia, derisa Kosova sipas raportit nuk ka fare industri ushtarake.
“Kroacia e ka buxhetin më të lartë të mbrojtjes, pra e ka për këtë vit 609,49 milionë euro, ndërsa për vitin 2015 është paraparë që t’i ketë 613,77 ndërsa për vitin 2016 është paraparë që t’i ketë 624,53 milionë. E dyta vjen Serbia, e cila ka 495 milionë euro për këtë vit, për vitin e ardhshëm është paraparë që t’i ketë 501,14 milionë euro, ndërsa për vitin 2016 ka një rënie dhe është në 472,97 milionë euro. Siç po e shihni, për shembull, Shqipëria e ka një buxhet mjaft të vogël dhe nuk është paraparë ndonjë rritje e buxhetit të saj, pra buxheti ushtarak i Shqipërisë është diku 101,75 euro, Bosnja e Hercegovina ka diku rreth 46 milionë buxhet më të madh të mbrojtjes sesa të Shqipërisë, Kosova e ka 42,03 dhe është e paraparë që të rritet në 45,50 në vitin 2016”, ka deklaruar ai, raporton KP.
Sipas raportit, Serbia dhe Kroacia janë vendet që mbizotërojnë me armatimin ushtarak në rajon, kurse Kosova ende nuk ka njësi ushtarake të mirëfillta.
Po ashtu, sipas këtij raporti, as krijimi i FAK-ut nuk do ta përmirësojë dhe nuk do të ketë ndonjë ndikim.
Ky hulumtim është përkrahur nga Qeveria e Norvegjisë. 

No comments:

Post a Comment