Friday, December 12, 2014

paraburgime të paligjshme

Kërkesat e prokurorëve për caktim ose vazhdim të paraburgimit, sipas gjyqtarëve, rezultojnë se nuk paraqiten në kohë ose nuk janë të arsyetuara mirë.

Gjithashtu afatet e parapara në Kod, për sa i përket ankesave kundër vendimeve për paraburgim, shpesh nuk respektohen. Për këtë shkak, sipas gjyqtarit të Gjakovës, Nikolla Komani, KGJK-ja përfundon duke paguar shuma të mëdha si kompensim për paraburgim të paligjshëm.
Deri më tani, për vitin 2014 më shumë se 400 mijë euro janë paguar në këtë drejtim.
Kërkesat e prokurorëve për lënien në paraburgim në mënyrë të paligjshme për të dyshuar të ndryshëm janë kthyer në përplasje mes gjyqtarëve dhe prokurorëve. Sipas gjyqtarëve , të cilët i kanë dhënë mendimet e tyre në takimet në nivel gjykatash, kjo ndodh për shkak të mungesës së profesionalizmit të prokurorëve.
Pasi sipas tyre, kërkesat e prokurorit për caktim ose vazhdim të paraburgimit nuk paraqiten në kohë ose nuk janë të arsyetuara mirë. Por, kjo nuk do të thotë se gjyqtarët janë treguar profesionistë derisa kanë arritur të miratojnë kërkesa të kundërligjshme.
“Duhet të ketë mbikëqyrje më efikase të masës se paraburgimit nga ana e gjykatave. Afatet e parapara në Kod, për sa i përket ankesave kundër vendimeve për paraburgim, shpesh nuk respektohen. Përmirësimi i kësaj gjendjeje është nevojë urgjente.
Para se të propozohet paraburgimi, të shqyrtohet nëse është e mjaftueshme të shqiptohet ndonjë nga masat alternative. Prokurorët duhet t’i paraqesin propozimet për caktim të paraburgimit me kohë si dhe t’i arsyetojnë ato.
Gjykatat duhet t’i hedhin poshtë propozimet e paafatshme ndërsa t’i refuzojnë propozimet jo të arsyetuara mirë.
Është përgjegjësia përfundimtare e gjyqtarit për të siguruar që arsyet e paraburgimit janë të mjaftueshme dhe të shtjelluara deri në imtësi”, thuhet në konkluzionet e dala nga takimet e gjyqtarëve mbi implementimin e Kodit të Procedurës Penale./KosovaSot/ 

No comments:

Post a Comment