
Gazeta “Neue Zürcher Zeitung”, e cila është një prej të përditshmeve më me renome në rajonin gjermanofolës dhe në Evropë në artikullin me titull: “Sërish Thaçi – në funksion të ri”, shkruan se Kosova e ka tani koalicionin me bazë të gjerë e qeverinë e saj.
“Sipas marrëveshjes kreu i ri i qeverisë është Isa Mustafa, por njeriu i fortë në qeveri ende mbetet Hashim Thaçi, si edhe më parë që nga fundi i luftës”, shkruan gazeta.
“Kundërshtarët e shumtë, që krijoi Hashim Thaçi në karrierën e tij 20 vjeçare, u gëzuan tepër herët….Pas gjashtë muajsh amullie sërish Thaçi triumfon. Ai ia ka dalë të nxjerrë nga koalicioni i bllokut kundërshtar Lidhjen Demokratike, LDK-në, dhe ta bëjë partneren më të vogël të koalicionit, për këtë ai duhej të dorëzonte postin e kreut të qeverisë tek Isa Mustafa. …Kalimi në plan të dytë nuk duket se do t’i dhembë shumë. Se e gjithë Kosova e di që Thaçi është dhe mbetet njeriu më i fuqishëm në vend”, shkruan “Neue Zürcher Zeitung”
Gazeta zvicerane analizon se gjendja e status-quo-s për gjashtë muaj nuk rrezikonte vetëm buxhetin, por edhe vazhdimin e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës. Një tjetër angazhim i rëndësishëm për parlamentin dhe qeverinë është sipas NZZ edhe miratimi për krijimin e gjykatës së posaçme, që do të hetojë dyshimet për krimet e UÇK-së ndaj serbëve, romëve dhe shqiptarëve.
“Hashim Thaçi, i cili vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm, ka qenë në vitin 1999 udhëheqësi politik i UÇK-së. Gjykata do të duhet të provojë ndër të tjera edhe, nëse ka krime, që janë pjesë e përgjegjësisë së tij”, shkruan mes tjerash kjo e përditshme zvicerane.
No comments:
Post a Comment