Saturday, December 13, 2014

Negociatat për koalicionin PDK-AAK dhe PDK-LDK, kanë nisur në qershor!? (Video)

Partia Demokratike nuk ka qëndruar duarkryq, karshi bashkimit të opozitës në një bllok që thoshte “kurrë me PDK-në”. Madje, PDK kishte dy skenarë për krijimin e institucioneve të vendit!
Një ditë më parë, në një intervistë për televizionin Rrokum, deputetit i PDK-së, Adem Grabovci, deklaroi se kjo parti ka nis bisedimet me LDK-në qysh nga data 9 qershor, dhe se gjatë gjithë kohës kanë biseduar edhe me AAK-në.
Njëri nga drejtuesit e AAK-së, duke dashtë të mbetet anonim, për televizionin Rrokum tha se telefonata e parë e PDK-së iu ka ardhur me 10 qershor, në ditën kur Blloku nënshkroi marrëveshjen. Telefonata u bë nga nënkryetari i PDK-së, Kadri Veseli, i cili e ka kontaktuar nënkryetarin e AAK-së, Blerim Shalën.
Veseli i kishte shkruar Shalës se ka një mesazh prej shefit të partisë. “Nëse pranoni me qenë pjesë e koalicionit, zarfi asht gati me u dërgu të presidentja Atifete Jahjaga për mandatarin e qeverisë, e ai emër është i kryetarit tuaj, Ramush Haradinaj”.

Por, përgjigjja e Haradinajt, sipas këtij zyrtari ka qenë e shkurt: “Nuk e thej besën që ia kam dhanë dy liderëve të koalicionit, Isa Mustafës dhe Fatmir Limajt. Jam i bindur në suksesin e bllokut”.
Takimet e zyrtarëve të PDK-së me ata të AAK-së kanë vazhduar. Me 26 gusht, Hajredin Kuçi kontakton vëllain e Ramush Haradinajt, Dautin, dhe i prezanton ofertën.
“Hajredin Kuçi e ka kontaktuar Dautin dhe i ka kërkuar. Ky takim ka ndodhur në restorantin ‘Druni’. Në ofertë, përveç postit të kryeministrit ishin edhe gjashtë ministri dhe disa agjenci të pavarura”.
Por, sipas këtij zyrtari, sërish Haradinaj qe ai që kundërshtoi!
Presioni i fundit ndaj AAK-së ka ndodh edhe një ditë para dakordimit për koalicion ndërmjet LDK-së dhe partisë së Thaçit, përkatësisht ditës kur Blloku u prish definitivisht.
Njëri prej zyrtarëve të PDK-së, që ishte në kontakt me AAK-në, pranoi se për pesë muaj ka bërë përpjekje me i bind dy partitë e krahut të luftës për koalicion. Madje, ai thotë se kjo ishte kërkesë edhe e ambasadores amerikane, që PDK-AAK-Nisma të lidhin koalicion.

“Personalisht unë, përmes një miku tim i kam dërguar selam Ramushit se po gabon që nuk po hyn në koalicion me ne, pasi Isa Mustafa veç e ka pranuar marrëveshjen dhe jemi afër finalizimit”, ka thanë zyrtari i PDK-së.
Sipas tij, personat qe kanë bisedua me AAK-në, ishin: Adem Grabovci, Kadri Veseli, Besim Qollaku dhe Memli Krasniqi. Disa prej tyre ishin në bisedime edhe me zyrtarët e LDK-së.
I njëjti zyrtar i PDK-së thotë se koalicioni me Nismën e Fatmir Limajt ka qenë punë e kryer, porse krejt në fund ata thanë jo. /Rrokum/

No comments:

Post a Comment