Monday, December 8, 2014

Mitrovicë: Babai braktis foshnjën e vdekur, e lë pranë rrethojave të spitalit

Një foshnje është gjetur pa shenja jete sot në mëngjes, në afërsi të spitalit të Mitrovicës, më saktësisht pranë rrethojave të spitalit.

Bëhet e ditur se foshnja ka lindur në 24 orët e fundit dhe është dërguar në mëngjes në spital nga prindërit e saj, me ç’rast mjekët kujdestar kanë konstatuar se foshnja është pa shenja jete.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Avni Zahiti, për Veriu.info ka treguar se foshnja ka lindur jashtë spitalit dhe pas lindjes prindërit e kanë dërguar foshnjën në spital.
“Foshnja është dërguar në spital pa shenja jete, me ç’rast mjekët kujdestar nënën e foshnjës e kanë ndalur për trajtim mjekësor, ndërsa pas kryerjes së procedurave të nevojshme babait ia kanë dorëzuar trupin e pajetë të foshnjës, për ta kryer ceremoninë e varrimit”, thotë Zahiti, duke treguar se kanë qenë disa qytetarë që në orët e mëngjesit e kanë vërejtur foshnjën në një kuti jashtë rrethojave të spitalit, ku pas dërgimit të saj në spital, mjeku ka konstatuar se e njëjta foshnje e pajetë ka qenë më herët në spital dhe ishte udhëzuar varrosja e saj.
“Trupi i foshnjës është dërguar për obduksion, ndërsa prindi është duke u marrë në pyetje nga hetuesia. Ndërkaq, nëna e saj është duke marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor në spital”, thoti Zahiti, i cili bënë të ditur se kjo vepër është cilësuar si braktisje e foshnjës së pajetë. 

No comments:

Post a Comment