Wednesday, December 31, 2014

Lluka: Të ndërtojmë strategji kombëtare për parandalimin e migrimit ilegal

Kryesuesi i Departamentit për Diasporë në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Jahja Lluka, në emisionin “Info-Box” të Radio Dukagjinit, ka theksuar se ideja për krijimin e një “Task Force”, për parandalimin e migrimit ilegal të kosovarëve, është e kamotshme.

Sipas tij, do të duhej një “Task Force” e cila do të merrej me zhvillimin ekonomik dhe krijimin e një perspektive, në mënyrë që rinia të mos largohet nga vendi.
Ai ka thënë se politika kosovare nuk është marrë me problemin e migrimit ilegal, ndonëse ata si parti, sipas Llukës, e kishin shfaqur shqetësimin e tyre karshi këtij fenomeni.
“Veçanërisht, zërin e kemi ngritur, pas fatkeqësisë në Lumin Tisa. Asnjëra qeveri nuk ka pasur ndonjë program zhvillimor për të hapur vende të reja të punës. E kemi një rini të shëndoshë, e cila çdo vit e ka një kontingjent prej 20 mijë personave, të gatshëm për tregun e punës. Me një rritje ekonomike, të cilën pritet ta ketë Kosova, prej 3 për qind, as për së afërmi nuk do t’i plotësojë kërkesat e të rinjve në tregun e punës”, ka thënë Lluka, transmeton Telegrafi.
Se a ka faj shteti i Serbisë, që po i lejon kosovarët të dalin pa shumë pengesa drejt vendeve të Bashkimit Evropian( Be), Lluka ka theksuar se ish-ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Bajram Rexhepi, i ka bërë, para disa kohësh, një kërkesë BE-së që të bëjë presion te Serbia që ta ndalojë shpërnguljen e shqiptarëve.
Kjo sipas tij, është diçka qesharake, kur dihet se shteti serb vazhdimisht ka pasur projekte për zbrazjen e shqiptarëve nga Kosova.
“Ne nuk jemi që ta pengojmë lëvizjen e lirë, qeveria duhet të merret me liberalizimin e vizave, duke krijuar perspektivë për rininë tonë. Me këtë trend edhe nëse e marrim liberalizimin e vizave, ne duhet të krijojmë një ambient të përshtatshëm që ata të mos largohen nga vendi”, ka thënë Lluka.
Duke folur për kërkesën e ministrit të Integrimeve Evropiane (MIE), Bekim Çollaku, drejtuar vendeve të BE-së, që kosovarëve të iu krijohet mundësia për punësim sezonal në vendet e BE-së, ai ka thënë se këtë çështje ata si parti e kanë ngritur si problematikë shumë më herët.
“Kjo është e vonuar si kërkesë. Shtetet e Evropës kanë nevojë për energjinë dhe gjakun e rinisë tonë. Kjo kërkesë e ministrit të Integrimeve është e vonshme. Ne urgjentisht kemi kërkuar që të mblidhet Kuvendi dhe të debatojë për këtë çështje dhe të ndërtohet një strategji kombëtare për parandalimin e migrimit ilegal. Kuvendi duhet që ta diskutojë këtë çështje sa më parë, sepse e ka obligim që të gjejë rrugë që ky eksod të mos shndërrohet në tragjedi”, ka thënë Lluka. /Radio-Dukagjini/

No comments:

Post a Comment