
Në njëvjetorin e vdekjes së Shpresa Kastratit-Fetahajt, e cila ra viktimë e kremtimit të vitit të ri me armë zjarri, vitin e kaluar, qytetarët e Pejës do të dalin në një tubim paqësor për të sensibilizuar qytetarët për një vit të ri të qetë, dhe për festime pa armë.
Jemi në ditët e fundit të ndërrimit të vitit, kur së bashku shënojmë përfundimin e një viti dhe hyrjen në një vit të ri. Në këtë rast kur gëzojmë dhe festojmë në familjet tona, ne ju kujtojmë natën e ndërrimit të moteve një vit më parë, kur nga të shtënat e pakontrolluara humbi jetën bashkëqytetarja jonë Shpresa Kastrati-Fetahaj”, thuhet në apelin e organizatës nga Peja “Syri i Vizionit”.
Kjo OJQ sivjet ka mbështetur iniciativën e familjarëve të Shpresës, e cila e alarmon kombin me apelin “Vitin e kaluar ishte motra jonë, këtë vit mund të jetë motra juaj!”.
Kjo thirrje “është bërë moto e thirrjes që bëjmë edhe ne kundër përdorimit të armëve gjatë festimit të ndërrimit të motmoteve, me shpresën që të gjithë së bashku të ndikojmë që gëzimi i dikujt të mos përfundojë me dhimbjen e tjetrit”, thuhet në apelin e “Syrit të Vizionit”.
Organizata i thirr qytetarët që të dalin në tubimin kundër përdorimit të armëve në festa, në sheshin e Pejës të mërkurën në mesditë, duke porositur: “Rasti i Shpresës nuk është i vetmi në Pejë as në Kosovë” dhe “Të bëjmë së bashku një thirrje të përbashkët që raste të tilla të mos ndodhin më në Kosovë”. /KP/
No comments:
Post a Comment