Thursday, December 18, 2014

Krimi dhe ndëshkimi - a do të nxjerrë mësim dikush nga skandali i pasaportave?

Gjykata Themelore në Prishtinë i dha sot fund skandalit të pasaportave duke dënuar 7 persona me afro 50 vite burg. Për aferën 1.4 milionëshe burg do të mbajë Natali Veliaj dhe biznesmenët e involvuar, por jo edhe dikush nga Ministria e Brendshme. Pasaportat biometrike mendohej ta ofronin Kosovën me BE, por e gjithë kjo doli të jetë një nga skandalet më të mëdha të pasluftës. Tash kur Gjykata dha verdiktin e saj, institucionet do duhej të nxirrnin mësim nga e gjithë kjo

Një histori me një transaksion prej 1.4 milionë eurosh për pasaportat që ndër të tjera pritej ta afronin Kosovën me Bashkimin Europian, të enjten, u përmbyll me dënim nga Gjykata Themelore e Prishtinës, të 7 personave me afro 50 vite burg.
Në këtë histori ishte përfshirë nga mediat edhe nënkryetari i PDK’së, ish-Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Bajram Rexhepi, i cili ishte personi që e denoncoi këtë rast te Ish-kryeprokurori, Ismet Kabashi.
Përkundër pretendimeve mediale, vendimi i Gjyqit nxori se asnjë zyrtar i MPB’së nuk u dënua e aq më pak ish-Ministri Rexhepi, i cili në një prononcim për Express tha se është dëmtuar politikisht nga lidhja e tij me këtë rast.
“Drejtësia vonon nganjëherë, por në momentit që kam marrë vesh se nuk janë duke shkuar paratë në vendin e duhur kam kërkuar fillimin e hetimeve. Mirëpo, dy vjet e gjysmë më kanë bombarduar dhe e kanë arritur efektin të më dëmtojnë politikisht. Le t’ju shërben për nder atyre që i kanë bërë këto”, ka deklaruar Rexhepi për Express.
Po ashtu, Menaxheri i prodhimit të dokumenteve në MPB, Besnik Berisha, i suspenduar nga Rexhepi po sa nisën hetimet , ka paralajmëruar padi ndaj Bajram Rexhepit, duke thënë se me largimin nga puna është dëmtuar moralisht, financiarisht dhe profesionalisht.
Rexhepi tha për Express se së paku “Berisha nuk e ka menaxhuar kontratën më së miri”.
Jashtë implikimit të shtetit dhe MPB’së, Gjyqi gjeti se u krye një krim i madh.
Për këtë, shtetasja gjermane Natali Veliaj është dënuar me 12 vjet burg dhe 25 mijë euro, dhe do t’i konfiskohet banesa; Fisnik Blakaj është dënuar me 11 vjet burg dhe 25 mijë euro gjobë; Betim Blakaj dënohet me tetë vjet burg dhe 10 mijë euro gjobë; Ergyn Dogani me tetë vjet burg; Nazmi Thaçi me 4 vjet burg si dhe Jakup Blakçorin e Sefedin Shalën me nga 1 vit burg.Grupi kriminal i Natali VBelijajt akuzohej për krim të organizuar, shpëlarje parash, mashtrim, shmangie nga tatimi dhe keqpërdorim të besimit, të gjitha këto akuza të ndërlidhura me kontratën për prodhimin e pasaportave biometrike, të lidhur mes kompanisë austriake OeSD dhe MPB-së.
Ky tender me vlerë prej 14 milionë e 127 mijë e 3.24 euro u nënshkrua në datën 17 qershor 2011.
Gjyqi pos dënimit të grupit të Velijajt urdhëroi që Natali Veliajn dhe Fisnik Blakajn që së bashku t’i kompensojnë kompanisë OeSD shumën prej 1.4 milion euro.
Krejt historia kishte nisur kur MPB’ja në shkurtin e viti 2011 hapi një tender për pasaporta biometrike në majin e atij viti atë e fitoi kompania austriake “Osterreichische Staatsdruckerei” (OeSD).
Kjo punë e kontraktuar et OeSD’ja ishte paraparë të ishte njëri ndër hapat kryesorë që do të plotësonte kërkesën e Bashkimit Europian për liberalizimin e vizave, por doli të jetë një nga skandalet më të mëdha dhe më të përfolura në Kosovën e pasluftës.
Vëmendjen më të madhe mediatike e përfitoi tek pas arrestimit të shtetases gjermane, Natali Velija, më 12 nëntor 2012 dhe që nga ajo kohë ishte mbajtur në paraburgim. Natali Velija pronare e kompanisë “Consulting Eu” ishte arrestuar nën dyshimin se ka marrë 1.4 milion euro dhe nuk i ka transferuar në llogarinë e kompanisë austriake OeSD, e cila ishte fituese e tenderit 14 milionë eurosh për prodhimin e pasaportave biometrike të Republikës së Kosovës.
Avokati i Natali Veliajt në atë kohë, Tomë Gashi, kishte kërkuar që ky rast të gjykohet nga EULEX-i por kjo fillimisht ishte refuzuar.
Lidhur me rastin e Veliajt kishte pasur një debat me akuza e kundërakuza në mes të avokatit të Veliajt dhe prokurores së rastit, Drita Hajdari.
Prokurorja e atëhershme e rastit pati akuzuar avokatin Tomë Gashi se po pengonte procesin hetimor duke publikuar informata të cilat i ka mësuar si mbrojtës i Veliajt. Gashi pati reaguar duke e quajtur prokuroren "argat mbrojtës apo engjëll mbrojtës të zyrtarëve të MPB-së". Ai gjithashtu ka paralajmëruar edhe rrjedhën e përgjimeve të ndërlidhura me MPB-në.
Disa ditë pas arrestimit të Veliajt, Ministri i asaj kohe i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi kishte shkarkuar këshilltarin e tij politik Sedat Gashi, dhe kishte pezulluar me pagesë kryeshefin ekzekutiv të Agjencisë për Regjistrim Civil, Blerim Camajn dhe drejtorin e Departamentit për Prodhim të Dokumenteve, Besnik Berishën.
Skandali i pasaportave vazhdoi dhe më tej kur MPB shkëputi kontratën me OeSD’në, për furnizim me pasaporta biometrike. Shkëputja e kontratës ndodhi pasi të dyja palët nuk u morën vesh se kush duhet t'i paguajë 354 mijë euro taksa Doganës së Kosovës. Për 1.4 milion eurot që kompania austriake pretendon se nuk i kanë shkuar në llogari, e MPB-ja thotë se i ka paguar, u la të vendosë gjykata.
Krejt krimi i dënuar sot nga Gjyqi rreth këtij skandali ishte kryer përmes bartjes dhe ri-bartjes së parave nga një kompani te tjetra, prandaj edhe të dënuarit janë kryesisht biznesmenë kompanish që ishte pretenduar që edhe janë hapur për këtë rast.
Kështu, Ergyn Dogan ka themeluar kompaninë “Qeramika”, Jakup Blakqori figuron si përfaqësues fizik i kësaj kompanie. Nazmi Thaçi është menaxher i kompanisë “Construction beton”, Ymer Fazlia është përfaqësues fizik i firmës “Ron Ing”, ndërsa Hashim Shala ka të regjistruar në emër të tij kompaninë “Pirro", derisa Natali Velija pronare e kompanisë “Consulting Eu”, përmes së cilës u autorizua nga OeSD’ja për pagesat në kontratën mes kësaj të fundit dhe autoriteteve kosovare.

No comments:

Post a Comment