Thursday, December 18, 2014

Ish-agjenti serb i AKI'së: U bëra viktimë sepse kërkova drejtësi për vrasjen e Enver Zymberit

Bojan Bozhovic, ish - agjent serb i AKI'së, thotë se ai u quajt tradhtarë nga serbët për shkak të deklaratës së tij se vrasësi i Enver Zymberit duhej të vihej para drejtësisë.

"Unë u bëra viktimë shkaku i një viktime shqiptare, vetëm ngase desha që vrasjen e Enver Zymberit ta çoja deri në fund", ka thënë Bozhovic në emisionin "Rubikon" të KTV'së.
Ai ka thënë se pas kësaj deklarate është quajtur tradhtarë nga Serbia.
"Edhe po të mos isha pjesë e AKI'së, këtë do ta bëja si gazetar. Sepse në vitin 2011 kisha thënë në një intervistë që nëse nuk përgjigjet para drejtësisë, le të përgjigjet para zotit ai që vrau një polic dhe la katër fëmijë jetim", ka thënë veç tjerash Bozhovic.
Ai mendon se 17 marsi u shkaktua në Kosovë nga "ekstremistët kosovarë".
"Nëse kam thënë për BBC se Milloshevici është kriminel dhe makineria e tij kreu krimie në Kosovë, kush më merr të drejtën të them se marsin në Kosovë e kanë shkaktuar ekstremistët në Kosovë", thotë ai Bozhovic tregon për vrasjen e Zymberit, një serbi të ShIK'ut e për punën në AKI
Një mori pyetjeve që ishin enigmë u është përgjigjur në Rubikon të KTV-së, Bojan Bozhoviq, gazetari e ish anëtari i AKI-së.
Rrëfimin e tij e ka nisur në vitin 1997, kur nisi punën për një televizion që emitonte program në serbisht e pronarët ishin nga Kosova. 
“Ishin vëllezërit Bogolub dhe Sreten Kariq dhe pjesa tjetër e familjes. BKTV në fillim ishte televizion i vogël që fillimisht kishte karakter rajonal e më pas edhe kombëtar dhe shpejt u bë simbol i informimit të drejtë dhe të saktë, që për dallim nga RTS edhe për luftën në Kosovë informonte në stil tjetër. Është e vërtetë që serbët atëkohë e përkrahnin pak a shumë politikën e Millosheviqit, por nëse diku mund të dëgjoj diçka më ndryshe nga Kosova, atëherë ky ishte televizioni BK”, ka thënë ai, teksa ka reaguar për hapat e parë në gazetari.
Ai ka thënë se duke raportuar për Kosovën do ta pasuronte dijeninë e tij dhe atëkohë serbët, për herë të parë do ta identifikonin si një armik dhe kishin thënë: ‘mirë të gjithë do ta rrëzonin rrëgjimin e Millosheviqit, do ta rrëzojmë me atë të Tadiqit, me atë të Gjingjiqit, por shikoni ky Bozhoviq ende po e rrëzon atë të Thaçit dhe politikanët e Kosovës. 
“Ashtu erdha në një fazë kur mund të lëvizja nëpër Serbi, por nuk mund të shkoja në veri. Madje njëherë më kishin thyer... kur Koshtunica kishte ardhur në një miting para se të merrte pushtetin, pjesëtarët e SPS më kishin thyer një Opel Kadet me të cilin atëkohë qarkulloja”, ka thënë ai, përcjell koha.net.
Sipas tij, mbreti i pakurorëzuar i veriut të Kosovës, në atë kohë ishte Slobodan Millosheviq. Njeriu që i udhëhiqte të gjitha. 
“Në atë kohë Marko Jakshiq ishte person i cili mua më përkrahte. Njeri që në njëfarë mënyre në mua shihte një simbol të rezistencës dhe unë isha gazetari i tij numër një. Ai gjithnjë thoshte se duhet mësuar si bëhet puna nga Bojan Bozhoviq, por në atëkohë në veri ishte aktuale edhe policia serbe edhe strukturat e tjera të sigurisë dhe SPS. Serbët nga veriu i Kosovës gjithnjë ishin të vonuar. Të themi për shembull, kur do të fitonte Tadiqi, ai i fundit do të merrte pushtetin në veri. Vetëm Vuçiq ishte i pari i cili fillimisht fitoi në Kosovë e më pas në Serbi. Kështu Vuçiqi mund të lëvdohet vetëm me këtë: që fillimisht fitoi në Mitrovicë e më pas në Serbi”, ka thënë Bozhoviq.
Tutje, Koshtunica kur kishte ardhur në Mitrovicë, dihej se ai do të bëhej president i Jugosllavisë e i Serbisë, por serbët atëherë e pranuan me vezë e me patate, ka kujtuar ai, përcjell koha.net. 
“Unë e kisha përcjell fjalimin e tij dhe kur erdha në shtëpi, të gjitha rrobat i kisha me vezë e patate ,kur më pyeti nëna se çfarë dua për drekë thash: epo mirë se rrobat i kam me ushqim vetëm fërgoji se ka gjithçka. Kështu kjo zgjati sa zgjati, Millosheviqi ka rënë”, ka thënë ai.
U hap një diskutim tjetër. Kosova u pavarësua dhe shqiptarët thirreshin në atë se të gjithë do ta njihnin, tentuan që një skenar të tillë ta bënin edhe në jug të Serbisë. Bozhoviq do të niste punë në BBC, për të cilën do të raportonte për luftën e UÇPMB-së.
“Çdo viktimë është e keqe. Pavarësisht se çfarë kombësie ka. Unë u bëra viktimë shkaku i një viktime shqiptare, vetëm ngase desha që vrasjen e Enver Zymberit ta çoja deri në fund. Edhe po të mos isha pjesë e AKI-së, këtë do ta bëja si gazetar. Sepse në 2011 kisha thënë në një intervistë për Top Channel nëse nuk përgjigjet para gjykatës, le të përgjigjet para zotit, ai që e vrau policin që kishte lënë katër fëmijë. Serbët këtë e kishin konsideruar si tradhti, terrorizëm dhe thanë se Bojan Bozhoviq është spiuni më i madh serb, tradhtari më i madh njeri që punon haptas për SHIK-un, edhe pse isha në Klan Kosova. Por hajde të flasim për përndjekjen time sa isha në Klan?”, ka thënë ai
Nga viti 2004-2010 thotë ta ketë parë se prej gazetarisë s’ka bukë. 
“Njëjtë si sot që gazetarët jetojnë vështirë. Ne disi jemi grupi më i rrezikuar. Kur them ne mendoj për kolegë që merren me këtë. Është profesioni më pak i paguar dhe gazetarët për gjithçka kanë faj. Nëse publikojmë një ekskluzivitet, atëherë na duan, por realisht të gjithë na urrejnë. Jetuam vështirë dhe vendosa të kthehesha prapë në media”, ka thënë ai, teksa ka folur gjatë edhe për raportimet nga vendimi i 25 korrikut për dërgimin e ROSU-s në veri të Mitrovicës.

“Në ditën kur u vra Enver Zymberaj , unë qëndroja pas KFOR-it, në mënyrë që serbët të mos më vrasin. Derisa serbët tërhiqeshin, unë u fsheha pas shtëpisë sime në Zubin Potok. Unë jetoj vetëm 300 metra larg nga qendra e Zubin Potokut. Dhe dëgjoj që në Zupç ka luftë. Shkëmbim zjarri nga të gjitha armët. Mendoja se ishin 100 të vdekur. Më vonë kuptova se serbët në dy pozita shkelën marrëveshjen. Marrëveshja ishte që ROSU të tërhiqej, por askush mos t’i sulmonte gjatë tërheqjes”, ka thënë Bozhoviq. “Serbët edhe këtë herë u bënë të mençur dhe dikush nga një kodër shkrepi një breshëri. Mendoj se askush s’u lëndua, vetëm disa vetura u dëmtuan, fillimisht te një tunel te Gazivoda dhe në fshatin Varage, ku më vonë u vra pjesëtari i Policisë së Kosovës. Nuk mund të them, ngase në tërë rastin është shenja e ‘sekretit shtetëror’, por supozoj, mos ma zini për të madhe, se miku im mund të jetë i revoltuar me këtë, që dikush shtiu në ROSU-në, e marrëveshja s’ishte ashtu, ministri i Brendshëm atëherë, Bajram Rexhepi, urdhëroi që ROSU-ja të kthehej dhe të vazhdojë hetimi në Zupç. Kështu u krijua rasti i Enver Zymberit. Serbët ishin në pozitat e tyre dhe bënë një pusi, erdhi deri te ndeshja direkte në Varage dhe këtu vdiq Zymberi, pas minutës së parë ose të dytë. U qëllua në kokë, më vonë u bë autopsia, por mendoj se vdiq në vend të ngjarjes”, ka shtuar ai.
Ai ka folur edhe për atë që kishte shkruar në profilin tim në Facebook dhe këtë e kishin publikuar disa media në Prishtinë dhe shkaku i kësaj më është dashur që dy herë të dëshmoj në EULEX.
“Do të thotë në rastin që kah mesi i tetorit, në muajin tim të tretë, në AKI u shënua me dorën time dhe iu dorëzua në një restorant në Prishtinë sepse kështu u morëm vesh që rastet me karakter të tillë të mos dërgohen me postë apo me e-mail por personalisht. U mbulua rasti i Enver Zymberit me emrat e ekzekutuesve të të armatosurve atëkohë dhe unë e vëra pikën në rastin e Zymberit. Më është thënë që ky rast ka shenjen e sekretit zyrtar. Për këtë nuk mund t’i flas askujt madje as Qeverisë së Kosovës. Ky ishte rast i AKI-së dhe për këtë të gjitha vetëm AKI-ja i di. Kur e shkrova këtë në Facebook, pak i mërzitur përse pas të gjithave që i bëra për shtetin e Kosovës isha në shtëpi pa bukë, fëmijët e mi s’kishin as rroba dhe të tjera, unë prisja një efekt tjetër. Që dikush të më thërriste dhe të thotë ja ku e ke punën. Në KEK, në PTK, bëhu roje, shofer, bëhu çfarëdo. Por jo, kishte efekt tjetër. Pas 15 minutash që hapa kompjuterin, të gjitha mediat në Prishtinë e kishin Bozhoviq ishte në AKI dhe e di kush e vrau Zymberin e këtë rast e kishte dorëzuar në AKI qysh në vitin 2011”, ka thënë ai, përcjell koha.net.
Edhe në EULEX kishin lexuar postimin në Facebook, lexuan gjërat në gazetë, dhe Bozhoviq ishte në shtëpi kur i shkoi ftesa të dëshmojë në rastin Zymberi.
“Më 30 tetor këtë vit, dëgjimi i parë në EULEX. Unë prapë shkrova në Facebook, njeriu që është i drejtë mund të thotë çfarëdo. Të gjitha që u kam thënë juve, do t’ia them edhe EULEX-it. Atyre u thash që 45 minuta pasi që kisha kaluar nëpër Zupç, pasi u tërhoqën policia e Kosovës dhe serbët, kisha parë dy vetura të thyera, një Opel Corsa, një Golf 3, disa policë të trafikut, disa xhama dhe gjak, e më pas prokurori më pyeti se çfarë dëgjove. Thash i kam dëgjuar të gjitha, por unë punoj për AKI-në dhe mbi këtë rast vlen sekreti zyrtar dhe për këtë juve s’mund t’ju flas. Më pas, ai u ngrit dhe tha se duhet të bëjmë pauzë”, ka thënë ai. “U kthye dhe tha është e vërtetë se në ligjin penal të Kosovës qëndron vepra penale e zbulimit të sekretit zyrtar dhe tha se s’e dëshironte këtë, unë i thash se ju mund të dëshironi çfarëdo, por unë s’do të flas asgjë. Mbaroi seanca e parë dëgjimore. Kaloi një muaj. Nuk e dija ditën e saktë kur më thirren prapë për të dëshmuar. Shkova dhe më thanë se ne dy herë zyrtarisht kërkuam nga AKI-ja të na përgjigjej nëse Bozhoviq ishte apo jo. Pyeta çfarë u thanë por ata s’u kishin thënë asgjë”, ka thënë më tej ai.
Bozhoviq ka thënë se duke punuar në AKI, e kuptoi se çfarë bën EULEX-i. “Hanë kafjall në Prishtinë, drekën në Mitrovicë dhe darkën në Beograd. Çfarë thotë Prishtina, ata i japin Beogradit dhe anasjelltas. Informatat rrjedhin si Ibri. Si zyrtarisht, sepse EULEX-i e ka atë zyrën zyrtare në Beograd, por ka edhe njerëz që punojnë brenda misionit që janë të hapur ndaj Beogradit më shumë se ndaj Prishtinës dhe informatat rrjedhin. Në kohën kur isha më i angazhuar në AKI kisha kontakte edhe me EULEX-in. Gjithnjë punonim me parimin 5 me 4. U jepja 4 informata, doja të merrja 5. EULEX-in e interesonte ajo çfarë ne nuk na interesonte, për shembull kush e dogji një veturë ose të tilla. Ne na interesonte se çfarë bëjnë serbët dhe cilat janë planet e tyre gjenerale. EULEX-in e interesonte se kush është në barrikada. Më pas, unë e pyeta kolegun nga EULEX-i kaq ke policë, civilë të armatosur e ai mua më jep listën e të gjitha institucioneve paralele në veri me emrat e numrat e telefonit që nga Universiteti i Prishtinës, shkollat fillore, çerdhet deri te zyrtarët e Mbrojtjes Civile. Kishte besim. Pinim kafe, shikonim ndeshje dhe ai më thotë se takohej me MUP-in që punonte ilegalisht në veri, në objekte të caktuara në veri”.
Bozhoviq ka thënë se Zvonko Veselinoviqit para se t’i dorëzohej Serbisë është dashur të arrestohej.
“Ky është dashur të ishte aksion gjigant mes EULEX-it dhe KFOR-it. Është dashur të bllokohej rruga e ‘Mbretit Petar’, të kryhet arrestimi i Zvonko dhe Zharko Veselinoviqit, që ishin kriminelë numër një. E tërë rruga do të duhej të bllokohej, EULEX-i të kryente arrestimin dhe ata të kalojnë në jug”.
Bozhoviq, në Rubikon ka rrëfyer edhe se si u rekrutua në AKI. 
“Një ditë u ula para policisë rajonale në Mitrovicë, ishte restoranti gjysmë i zbrazët. Dhe m’u afruan dy djem, më pyetën nëse mund të ulen me mua. Në serbisht më folën, si je, si e ke familjen. Më thanë se punojnë për sigurinë e Kosovës, që quhet AKI. Deshëm kaherë të të kontaktonim, sa ishe në veri, meqë ishe në shumë pozita. Si person je interesant, e dimë që di shumë, do të doje të punoje për ne. Ishte e tmerrshme sepse nuk dija nëse dikush po më bën hile. Çfarë nëse s’ishin nga AKI-ja. Por nga përvoja e dija se si BIA e bënte këtë. Ata kanë njerëz mes shqiptarëve. Por, në atë frikë, iu dhashë përgjigjen e vetme, faleminderit por më duhet të mendoj. Dhe si agjent i vërtetë u ktheva, e pash veturën Golf 4, mora targat sepse kisha disa miq në polici, ose atëkohë isha i famshëm ose kurrë. E thirra policinë për të pyetur e kujt është vetura. M’u përgjigjen se s’mund të më thoshin se e kujt është vetura, por një gjë është e sigurt se ai që e nget, me të mund të bisedosh. Nëse Ministria e Brendshme ose kushdo, unë nuk mora përgjigje nëse vetura ishte private apo e AKI-së”.
“I kërkova tre gjëra, fillimisht një veturë, sepse atëherë e kisha një Opel, madje me targa të Beogradit, e që ishte e tëra e shkatërruar. E dyta ishte një lap-top dhe një telefon. Më dhanë të tria. Më bënte telefoni kohë pas kohe, sa isha në ‘Palace’, më thoshin të dilja në parking, dilja, pash një Golf 2. Unë personalisht insistoja që vetura të jetë sa më e thjesht sepse nuk doja të bija në sy. Në ulëse ishte lap-topi dhe telefoni. Më dërguan një puthje dhe thanë se do të mbesim në kontakt dhe do të marrësh instruksione të tjera. Gradualisht filloi angazhimi”.
Ai ka folur edhe për Goran Rakiqin e Krstimir Pantiqin.
“Pantiqi ma lëshoi në telefonin e tij, por më dha edhe 3 numra 044, duke kërkuar që të verifikoj se të kujt janë. Të tretë janë serbë dhe punojnë për SHIK-un. S’mund të them asgjë, pos që njëri prej numrave i takonte të ndjerit Miki Dimitrijeviq. Dimitrije Janiqijeviqit, i cili ishte kandidat për kryetar të Mitrovicës nga partia e zotit Petroviq. Në atë kohë, flitej publikisht se Janiqeviqi i ndjerë punonte për SHIK-un. Edhe ky tregim i kushtoi me jetë. Atë e vranë”, ka thënë ai. “Vrasja e fundit që u bë në mënyrë indirekte nga Beogradi ishte e Dimitrije Janiqeviqit. Pas kësaj vrasjeje, ata u shkyçen nga të gjitha ngjarjet në veri. Ata vetën e institucionalizuan dhe të gjithë punojnë në Policinë e Kosovës, të gjithë pjesëtarët e MUP-it. Mua s’më vjen keq për këtë, më vjen mirë. Kur më pyesnin nëse të vjen mirë për marrëveshje, natyrisht se po. Sot janë disa serbë të tjerë në Prishtinë nën flamurin e Kosovës dhe përfaqësojnë popullin e tij. Unë ndoshta nuk isha edhe aq i mençur sepse po të dija s’do të isha këtu”, ka thënë më tej ai.
Bozhoviq ka thënë se Serbia e di që ai ishte punëtor i AKI-së dhe këtë me krenari thotë t’ia ketë thënë personalisht presidentit Tadiq, gjatë vizitës së tij në manastirin e Deçanit.
“Atëkohë, isha përgjegjës që të koordinoja shërbimet që vizita e Tadiqit të kalojë sa më mirë. Më 7 janar 2012. Ndonëse s’kisha miratimin të them diçka të tillë, kjo ishte më e fortë se unë. Unë iu afrova, i thash zoti Tadiq mirë se vini në Republikën e Kosovës, unë jam Bojan Bozhoviq dhe punoj në AKI. Ju dëshiroj qëndrim të mirë që të ndiheni këndshëm e të ktheheni mirë. Ai u zbeh, u djersit dhe kur u përshëndetem, e kishte dorën e ftohët. Kishte edhe më shumë detaje. Atëkohë, ministri Bogdanoviq kishte rast vdekjeje, andaj pjesëtarët e VV-së edhe mua më gjuajtën dhe ROSU intervenoi, por kjo s’kishte rëndësi. Pak a shumë, nga 7 janari edhe presidenti i Republikës së Serbisë e dinte që në Kosovë ishte një Bojan Bozhoviq, që punonte për shërbimin inteligjent”.

No comments:

Post a Comment