
Sekretari i Shtetit të Parlamentit gjerman në Ministrinë e Mbrojtjes, Dr. Ralf Brauksiepe, gjatë një takimi me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Francesco Paolo Figliuolo, ka konfirmuar mbështetjen e fuqishme të Gjermanisë për misionin paqeruajtës ndërkombëtar në Kosovë.
Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Francesco Paolo Figliuolo, u takua sot me Sekretarin e Shtetit të Parlamentit gjerman në Ministrinë e Mbrojtjes, Dr. Ralf Brauksiepe, në kampin “Film City”, në Shtabin e Përgjithshëm të KFOR/ NATO-s në Prishtinë.
Gjenerali Figliuolo dhe Dr. Brauksiepe u pajtuan mbi rëndësinë e rolit të KFOR-it në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt dhe në lirinë e lëvizjes në tërë Kosovën, duke siguruar kushtet për zhvillim më të mirë social dhe ekonomik, thuhet në njoftimin e lëshuar nga KFOR-i.
Ata gjithashtu diskutuan për kontributin gjerman kundrejt detyrave të KFOR-it dhe për bashkëpunimin rajonal në Ballkan. Në këtë drejtim, Dr. Brauksiepe rikonfirmoi faktin se Gjermania do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm misionin.
Takimi ishte një mundësi për gjeneralin Figliuolo t’i tregojë Dr. Brauksiepe dhe të vë në pah efektshmërinë e kontributit gjerman, me theks të veçantë njësitë manovruese gjermane, detyrat ditore që kryhen në spitalin ushtarak fushor të Prizrenit, i cili menaxhohet nga njësia mjekësore gjermane.
Gjatë vizitës së tij në Kosovë, Dr, Brauksiepe gjithashtu pati mundësinë të vizitojë trupat gjermane të KFOR-it, të zbarkuara në Kampin e Prizrenit.
Përkushtimi gjerman në KFOR filloi në qershor të vitit 1999 dhe aktualisht ofron një nga kontigjentet më të mëdha në KFOR me përafërsisht 700 ushtarë të zbarkuar. Pjesa më e madhe e pjesëtarëve të shërbimit gjerman janë të vendosur kryesisht në Kampin e Prizrenit, përfshirë këtu edhe Grupin Luftues Shumëkombësh të KFOR-it në Lindje dhe stafin e SHP të KFOR-it.
No comments:
Post a Comment